Ministri Lleshaj firmos Memorandum bashkëpunimi me homologun kroat për sigurinë kufitare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/12/2018

Ministri Lleshaj firmos Memorandum bashkëpunimi me homologun kroat për sigurinë kufitare

Kroaci – Ministri i Brendshëm Sandër LLeshaj  ka firmosur me homologun e tij kroat Davor Božinović, një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve të të dy vendeve.

Kjo marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë  dhe Ministrisë së Brendshme të  Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve, pason atë të nënshkruar në 2014 mes qeverive të dy vendeve, për bashkëpunimin policor dhe synon luftë efikase kundër të gjitha kërcënimeve ndër-kufitare.

Në marrëveshje parashikohen fushat e bashkëpunimit, strukturat përkatëse të zbatimit të saj, format e shkëmbimit të informacionit etj.

Sipas marrëveshjes palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin reciprok me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt dhe të kërcënimeve ndaj sigurisë së kufijve të vendeve pjesëmarrëse. Në të parashikohen operacione të përbashkëta dhe mbështetje logjistike reciproke.

Ministri Lleshaj ishte pjesë e delegacionit, kryesuar nga Kryeministri Edi Rama që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, në kuadër të Samitit të Kryeministrave të Iniciativës së Europës Qendrore. Ata janë takuar gjithashtu me Kryetarin e Parlamentit kroat Gordan Jandroković, si dhe me Kryeministrin e vendit Andrej Plenković.