Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 59 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/11/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 59

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 59 

(29 Tetor – 04 Nëntor 2018)

 

MINISTRIA E BRENDSHME

30 Tetor 2018 – Zv.Ministri i Brendshëm Julian Hodaj mori pjesë në konferencën ministeriale me temë “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Brindizi të Italisë. Konferencë organizohej në kuadër të projektit IPA 2017 dhe në këtë aktivitet zv.ministri Hodaj shoqërohej edhe nga zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, zv.ministri Hodaj u shpreh se “Qeveria shqiptare që në fillim te mandatit të saj ka marrë një angazhim të qartë, të luftojë me të gjitha mjetet dhe pa kompromis te gjitha format e krimit të organizuar”. Ai theksoi rëndësinë e planit të veprimit “Forca e Ligjit” dhe të gjitha arritjet e deritanishme. Në vijim u ndal te çështja e terrorizmit si një fenomen që kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e vendeve tona, duke theksuar faktin se lufta ndaj këtij fenomeni kërkon angazhim të vazhdueshëm, planifikim, koordinim mes agjencive ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendeve tona. Qasja ndaj tij dhe ndaj krimit të organizuar në përgjithësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke bërë një punë të vazhdueshme parandaluese. Gjatë kësaj vizite, Hodaj u takua me zv.ministrin e Brendshëm të Italisë z. Stefano Candiani të cilin e njohu me arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke u ndalur tek rezultatet e operacionit “Forca e Ligjit” dhe procesin e “Vettingut në Polici”. Nga ana e tij, zv.ministri Candiani vlerësoi të gjitha përpjekjet e bëra nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar, duke u ndalur në punën e bërë nga Policia shqiptare edhe në bashkëpunim me palën italiane. Bashkëbiseduesit konfirmuan rëndësinë e madhe që ka për të dyja palët siguria e qytetarëve.

1 nëntor 2018 – Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në konferencën rajonale për “Trajtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm”, në të cilën ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga vendet e rajonit dhe përfaqësues diplomatikë nga vendet partnere dhe organizatat ndërkombëtare. Kuko theksoi rëndësinë që ka parandalimi i këtij fenomeni dhe organizimi i punës nga strukturat përkatëse në bashkëpunim me komunitetet qytetare lokale, pushtetin vendor, institucionet arsimore. Ajo përmendi punën e bërë nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me OSBE-në në vite në kuadër të Strategjisë ndër-sektoriale të Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Zv.Ministrja Kuko u ndal në rrezikun potencial që institucionet e vuajtjes së dënimit të shndërrohen në inkubatorë të ekstremizmit të dhunshëm, prandaj kërkohet më shumë vëmendje dhe projekte konkrete parandaluese. Kuko theksoi më tej rëndësinë që merr ri-integrimi i personave bartës të këtij fenomeni, në gjirin e shoqërisë përmes programesh që mundësojnë shkëputjen nga ideologjitë ekstremiste dhe që të mbajnë larg rrugës së rikthimin në dhunën që çon në terrorizëm. Sipas Kukos, në këtë mënyrë i shërbejmë më së mirë kohezionit social të shtetasve tanë duke dhënë një kontribut indirekt edhe për vendet mike e partnere.

1 nëntor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda  u takua me oficerin për Raportimet dhe Marrëdhëniet Politike, z.Atsuki Takahashi nga Zyra për Monitorimin dhe Luftën kundër Trafikimit të Personave në Uashington si dhe me z. Ian Craëford, Oficeri i të wDrejtave të Njeriut në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Në takim u diskutuan arritjet në fushën e Antitrafikut për vitin 2018 dhe sfidat e shumta në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Z. Takahashi u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në punën e mirë që po bën në luftën kundër këtij fenomeni.

31 tetor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në aktivitetin me temë  “Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë në Shqipëri”, në të cilin u bë i njohur Plani Kombëtar i Veprimit për zbatimin e rezolutës nr. 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kuko, në fjalën e saj, e cilësoi “Planin e Veprimit” si një gur kilometrik, i cili vendos një fashë tjetër sigurie dhe garancie në rolin e grave dhe vajzave në Shqipëri, por edhe çështjeve gjinore në tërësi në sektorin e sigurisë. Më tej ajo vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë bërje, por dhe në fushën e sigurisë. “Mbi 900 gra dhe vajza shërbejnë në Policinë e Shtetit. Një numër që do të vazhdojë të rritet, ndonëse prania e tyre në një forcë të konsideruar si jo të përshtatshme për gra është ende një sfidë më vete në radhë të parë për to, dhe më pas për organizatën në tërësi,” u shpreh zv.ministrja Kuko. Plani Kombëtar i Veprimit për zbatimin e rezolutës nr. 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, synon rritjen e përfshirjes së grave në fushën e sigurisë, por dhe çështjeve gjinore në tërësi.  Ai është përgatitur në emër të qeverisë së  Shqipërisë, nga Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në konsultim  të  ngushtë  me  përfaqësues  të  autoriteteve  vendore, organizatave  ndërkombëtare  dhe  me  kontributin e përfaqësuesve të shoqërisë civile përfshirë edhe ekspertë të fushës.

30 tetor 2018 – Në kuadër të përmbylljes së muajit të ndërgjegjësimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Ministria e Brendshme/Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, organizoi ekspozitën me temë “Trafikimi në sytë e fëmijëve” me piktura të punuara nga nxënësit e shkollave 9-vjecare dhe te mesme ne 12 qarqet e vendit. Në një mesazh falënderimi për nxënësit që morën pjesë me punimet e tyre në ekspozitë të mbajtur në datat 29-30 Tetor, theksohet ky është një kontribut me vlerë për sensibilizimin e qytetarëve ndaj këtij fenomeni. Përgjatë gjithë muajit tetor janë zhvilluar aktivitete të ndryshme në Tiranë dhe në qarqet e tjera të vendit me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve dhe qytetarëve për rrezikun që paraqet fenomeni i trafikimi të personave dhe rëndësinë që ka identifikimi dhe raportimi i personave të rrezikuar nga ky fenomen.

POLICIA E SHTETIT

2 Nëntor 2018 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një takim me një delegacion të Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, kryesuar nga Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Philip Rutnam, i cili shoqërohej nga Frances Collier Drejtor i Drejtorisë për Evropën, në Departamentin e Krimit të Organizuar, Sarah McAveety Koordinator Rajonal për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, si dhe Paul Cockram Oficeri ndërlidhës i Britanisë së Madhe në Shqipëri. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi bashkëpunimin e deritanishëm si dhe forcimi i mëtejshëm i tij, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafiqeve të paligjshme, krimit kibernetik dhe terrorizmit. Drejtori Veliu ka njohur delegacionin me rezultatet dhe operacionet e fundit të zhvilluara nga Policia e Shtetit si dhe ka vlerësuar marrëdhëniet mjaft të mira mes dy policive, ku ka një bashkëpunim të ndërtuar dhe të rregulluar me bazë marrëveshjesh dhe memorandumesh mes Ministrive të Brendshme. “Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar është shumë me rëndësi për Policinë e Shtetit. Shkëmbimi në kohë i informacioneve duke hequr disa barriera burokratike, është jetik për luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik e financiar dhe terrorizmit. Kemi dhënë prova besueshmërie dhe profesionalizmi gjatë bashkëpunimit me Policinë britanike. Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të sekuestruar të gjitha asetet dhe llogaritë bankare që janë përfituar nga veprimtari kriminale”, theksoi Drejtor Veliu. Ndërsa Rutman u shpreh se: “Policia e Shtetit është një partner shumë i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar. Vlerësoj krijimin e Task Forcës “Forca e Ligjit”, si një hap pozitiv dhe në rrugën e duhur. Rezultatet e arritura deri sot nga Task Forca janë domethënëse, pasi mbi 170 të arrestuar për këtë periudhë është një rezultat inkurajues për të ecur përpara. Vlerësoj rezultatet e Policisë së Shtetit në tërësi, sidomos kohët e fundit, në drejtim të goditjes së krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi. Do t’ju mbështesim me logjistikë e trajnime e asistencë teknike”.

OPERACIONI “NDËSHKIMI I ‘TË FORTËVE”

Në javën e fundit – 54 shtetas në pranga:

– 12 të arrestuar me precedentë;

– 19 në kërkim komb/ndërkombëtar;

– 18 prishës të rendit të arrestuar;

– 5 te arrestuar për armëmbajtje pa leje;

– 8 armë zjarri të sekuestruara;

– 3.6 kg kokainë e heroinë e sekuestruar;

– 110 kg kanabis e sekuestruar.

2 Nëntor 2018 – Në vijim të operacionit “Forca e Ligjit në Territor”, Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Tiranës në bashkëpunim dhe me Forcën e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit kanë ushtruar kontrolle në ambiente dhe në akset rrugore të kryeqytetit. Gjatë kontrolleve u arrestuan në flagrancë tre shtetas, dy prej të cilëve vëllezër, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 17 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse e llojit tritol,  2 armë zjarri automatikë, 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

OPERACIONE POLICORE

31 Tetor 2018 – Në Shkodër, strukturat e policisë vendore në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale Tiranë, pas një hetimi disa mujor kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “GRE-HOT”. Si rezultat i këtij operacioni 5 shtetas u arrestuan dhe një person u shpall në kërkim. Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas siguronin pritjen, transportimin dhe ambientet e akomodimit si hotele dhe shtëpi banimi për shtetasit e huaj të vendeve të treta, kryesisht sirianë, dhe bënin të mundur trafikimin e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Malit të Zi me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

1 Nëntor 2018 – Punonjësit e Policisë Kufitare Kakavijë kanë arrestuar një shtetas, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me shërbimet doganore, u konstatua se në baterinë e automjetit të tij, gjendeshin të fshehura dy pako të mbështjella me natriban të dyshuara me lëndë narkotike të llojit Kokainë. Nga peshimi i pakove rezultoi se brenda tyre kishte një sasi prej 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

1 Nëntor 2018 – Efektivët e komisariatit të Lushnjës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnje kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Louse”. Pas një hetimi 3 mujor të ndjekur me metodat pro-aktive nga efektivët e Komisariatit të Lushnjës, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve, të cilëve gjatë kontrolleve të ushtruara u janë gjetur dhe sekuestruar: 30 doza me lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri dhe fishekë .

2 Nëntor 2018 – Në Tiranë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit kanë arrestuar në flagrancë një të ri, i cili dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Gjatë këqyrjes së 11 profileve me të dhëna të rreme që i riu administronte në rrjetin social Facebook,  u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minoren në kohën kur këto foto janë realizuar si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të këtyre shtetaseve.