Forca e Ligjit në Territor, operacioni “Ndëshkimi i 'të fortëve” (21-28 Tetor) - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/10/2018

Forca e Ligjit në Territor, operacioni “Ndëshkimi i ‘të fortëve” (21-28 Tetor)

Deklarata për shtyp e Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike, në PSH, Gjovalin Loka:

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese dhe me mbështetje aktive nga partnerët ndërkombëtarë, është e angazhuar në luftë të pa kompromis për parandalimin, identifikimin dhe goditjen e individëve të përfshirë në veprimtari kriminale dhe veçanërisht krimit të organizuar dhe grupeve kriminale në vend.

Falë bashkëpunimit me partnerët spanjollë e italianë, siç është bërë e njohur për mediat, u ndalua i dyshuari si drejtues i grupit kriminal “Bajri”, shtetasi Enver Bajri.

Gjithashtu pas një hetimi e ndjekje të përbashkët u ndalua në Tiranë një i kërkuar nga drejtësia italiane, i dënuar për pedofili.

Që nga mesi i muajit shtator, Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë për parandalimin e ngjarjeve, ndëshkimin dhe kontrollin e plotë të territorit.

Ky operacion është pro aktiv dhe synon qartësisht:

– të parandalojë veprimtaritë kriminale në territor, në çdo mjedis social dhe veçanërisht përfshirjen e të miturve e të rinjve;

– identifikimin dhe ndëshkimin e personave me rrezikshmëri shoqërore e veçanërisht ata me precedentë penalë;

– identifikimin dhe arrestimin e personave, për të cilët ka një vendim kërkimi kombëtar apo ndërkombëtar, ndalimin e ndëshkimin e personave të konsideruar “të fortët” e zonave urbane e rurale, duke u kthyer në një shqetësim për qytetarët.

Nga data 21 Tetor deri sot, Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e detyrave të përcaktuara në Plan operacionin policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

Sot po bëjmë me dije rezultatet më të rëndësishme konkrete të javës që lamë pas,  të cilat vijojnë të jenë premtuese, çka do të thotë se operacioni është i suksesshëm. Gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në Territor në kuadrin e operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve”, nga strukturat vendore të Policisë, janë kryer kontrolle për personat me precedentë kriminal aktiv, personat në kërkim dhe personat si prishës sistematik të rendit publik.

Brenda kësaj jave janë arrestuar 36 persona vetëm në kuadrin e këtij operacioni në kontrollet pro aktive në territor, persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’, për armëmbajtje pa leje; në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Kështu në kuadër të kontrollit të territorit dhe hetimeve pro aktive në kuadër të operacionit policor të koduar “Menaxheri” në Durrës u godit një rast i trafikut të lëndëve narkotike të forta, ku u sekuestruan 2 kilogramë Kokainë dhe u vunë në pranga dy persona.

Ndërsa në Shkodër, u finalizua operacioni “Tamara”, ku u godit një grup kriminal  në fushën e narkotikëve ku u sekuestruan 80 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 6 persona.

Gjatë një operacioni të përbashkët me Drejtorinë e Doganave në Qafë Botë u sekuestruan rreth 145 mijë Paund britanik.

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore, banesa, lokale etj. janë sekuestruar 6 armë zjarri të llojeve të ndryshme,  2 kilogramë kokainë, 161 kilogramë kanabis dhe automjete të ndryshme.

Policia e Shtetit rithekson se kapja dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit, nën petkun e “të fortit”, për Policinë e Shtetit është me shumë rëndësi, pasi nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit!

‘Forca e Ligjit në Territor’ përmes operacionit policor “Ndëshkimi i ‘të fortëve” nuk do të ndalet këtu, por do të vijojë ditë pas dite, javë pas jave, duke ndëshkuar ashpër me autoritetin dhe forcën e ligjit çdo individ shkelës të ligjit dhe sfidues të autoritetit të shtetit që do të guxojë të cenojë jetesën normale të qytetarëve, rendin e qetësinë publike.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë, mbrojtjen e rendit, qetësinë publike, respektimin e ligjit nga të gjithë, për vendosjen e autoritetit të shtetit. Kjo duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit për çdo incident apo problematikë tjetër që mund të konstatojnë, përmes telefonatave falas në numrin 112.   #telefono112