Vijim i mega-operacionit “One If-By Land”: Arrestohen 2 policë, 6 shtetas në kërkim - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/09/2018

Vijim i mega-operacionit “One If-By Land”: Arrestohen 2 policë, 6 shtetas në kërkim

Përgjatë natës së datës 29 shtator dhe mëngjesit të ditës së nesërme, dt.30 shtator, është përmbyllur pjesa e dytë e mega-operacionit të koduar “One If – By Land”, i cili kishte si qëllim goditjen ndaj personave që janë të përfshirë në kontrabandimin të njerëzve me qëllim emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ky hetim, i realizuar nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka zgjatur disa muaj dhe në proces janë përdorur metoda speciale të hetimit.

Goditja e parë ndaj grupit, dhe praktikisht pjesës kryesore të këtij operacioni, u realizua në datën 17 mars 2018 ku u arrestuan 39 persona.

Ndërkohë hetimi intensiv ka vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe edhe në koordinim me Agjentët Specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA, që janë atashuar në Tiranë dhe që kanë asistuar në zhvillimin e hetimeve dhe realizimin e këtij operacioni. Ky grup i strukturuar kriminal ka ushtruar veprimtari të paligjshme për një kohë të gjatë, në drejtim të ”Dhënies  ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup të strukturuar kriminal” nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuara nga nenet 298/a, 333 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se rrjeti përbëhet nga 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e mbi 300 personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të vendeve si Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Kanadasë. Skema ishte e tillë që për çdo person paguhej nga 7000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25.000 – 30.000 dollarë për në SHBA dhe Kanada.

Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumente udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.

Ata përdornin itineraret:

– Shqipëri-Itali-Mbretëri e Bashkuar

– Shqipëri-Francë- Mbretëri e Bashkuar

– Shqipëri-Bullgari- Belgjikë – Republika Domenikane-SHBA/Kanada

– Shqipëri-Spanjë- Amerika Latine-SHBA/Kanada.

Lidhur me provat dhe faktet e grumbulluara gjatë hetimit me metoda speciale nga hetimi, Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, pas  ekzekutimit të 39 masave të sigurimit personal arrest në burg nga Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe me shërbimet e policisë gjyqësore, por dhe partnerët që mbështesin këtë mega-operacion, ka urdhëruar shpalljen në kërkim ndërkombëtar për 12 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ndërkohë pas vijimeve të hetimit, nga bashkëpunimi midis SHÇBA, Oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Institutit të Policisë Shkencore, është bërë e mundur që të identifikohen dhe më pas të arrestohen në datën 28 shtator 2018, – si bashkëpunëtorë në këtë grup të strukturuar kriminal, – 2 punonjës policie me detyrë kontrollor (roje kufitare në PKK Rinas) si dhe një agjent i kompanisë ICTS në aeroportin e Rinasit.

Më konkretisht janë arrestuar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, 2 punonjësit e policisë:

  1. Almir DODA, për veprat penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
  2. Edmond Llaçini, për kryerjen e veprave penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë si rrjedhojë e hetimit intensiv dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka nxjerrë masën e sigurimit “Arrest në burg” për 5 shtetas maqedonas, si dhe 1 shtetas shqiptar, që është punonjës pranë Kompanisë Security të Aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit dhe konkretisht :

  1. B.V., lindur e banues në Maqedoni,
  2. A.D., lindur e banues në Strugë – Maqedoni
  3. G.D., lindur e banues Strugë – Maqedoni
  4. Z.D., lindur e banues në Strugë – Maqedoni
  5. I.M., lindur e banues në Ohër – Maqedoni
  6. E.S, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas kishin role drejtuese në këtë grup të strukturuar kriminal. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat ligjore dhe po bashkëpunohet me homologët tanë, për ekzekutimin e këtyre masave të sigurimit personal për këta shtetas.

Finalizimi i fazës së dytë të këtij mega-opercioni, që ende është në vazhdim, dëshmon rritjen e besueshmërisë së Policisë shqiptare dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese tek partnerët ndërkombëtarë.