Arrestohet në flagrancë një punonjëse e policisë në Rinas - Ministria e Brendshme
Postuar më: 21/09/2018

Arrestohet në flagrancë një punonjëse e policisë në Rinas

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi në flagrancë 1 punonjëse të Policisë Kufitare në Rinas nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Dyshimet për implikimin e punonjëses së policisë B.D., me detyrë kontrollore në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Emigracionit Rinas, lindën pas kapjes së 7 shtetasve turq nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, teksa tentuan të kalojnë kufirin shqiptar drejt Malit të Zi. Ata deklaruan se kishin hyrë nëpërmjet Rinasit në Shqipëri. Drejtoria e Kufirit njoftoi për veprime të mëtejshme SHÇBA.

Nga hetimet e kryera rezultoi se këta shtetas janë lejuar të hyjnë në territor në mënyrë anti ligjore, nga punonjësja e policisë, duke mos kryer regjistrimin në sistem.

Tashmë mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

SHÇBA garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim në media dhe nga qytetarët dhe i nxit ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë.