Konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrit austriak Kickl dhe Ministrit Xhafaj - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/09/2018

Konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrit austriak Kickl dhe Ministrit Xhafaj

Në mbyllje të konferencës së ministrave të Brendshëm Ballkanikë, vendeve pjesëtare të Konventës për Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore (PCC SEE), MB të vendeve anëtare të BE, Organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe Presidencës austriake të BE, u bë një komunikim me median mbi rezultatet e këtij takimi shumëpalësh.

Konferenca ekskluzive për shtyp u zhvillua nga Ministri i Brendshëm i Austrisë Herbert Kickl, si vendi mbajtës i Presidencës së BE si dhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj, si perfaqesues i MB të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Konventës për bashkëpunimin policor të Evropës Juglindore.

Interesi kryesor i medias ndërkombëtare në sallë, ishte për çështje të tilla si: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, përballimin e migracionit të paligjshëm dhe bashkëpunimi mes vendeve të konventës dhe atyre të BE-së etj.

Në ekspozenë e tij, Ministri Kickl foli për shtrirjen në vendet e Ballkanin Perëndimor të Konventës së Prümit, mbi shkëmbimin e informacioneve për çështje të sigurisë mes vendeve të BE-së. Ai nënvizoi se kjo Konventë ka dhënë shumë rezultate ndaj këtë instrument duhet ta zgjerojmë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha gjithashtu se shtetet e Ballkanit perëndimor janë treguar partnerë të besueshëm, për këtë arsye duam të zgjerojmë bashkëpunimin me ta.

“Sot do diskutojmë për rritjen e kapaciteteve të këtyre vendeve, konfirmimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit që kemi pasur deri më sot në tema si parandalimi i kriminalitetit të organizuar apo dhe për tematika të lidhura me terrorizmin, luftëtarët e huaj apo vatrat terroriste, që janë të pranishme brenda këtyre vendeve,” tha ministri Kickl.

Ministri Xhafaj në paraqitjen që i bëri punimeve të konferencës, ndër të tjera theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve nënshkruese të konventës me institucionet e BE-së dhe vende të veçanta brenda BE-së. Ai vuri në pah ndihmën e pakursyer të Austrisë dhe insistoi që edhe vendet e tjera të BE të jenë më shumë kontribues për rajonin e Ballkanit.

Shqipëria mbetet një vend i angazhuar për të kryer rolin që i takon në parandalimin e problematikave aktuale. Flas veçanërisht për ato të lidhura, siç e theksoi me të drejtë z.Ministër, me krimin e organizuar, emigracionin e jashtëligjshëm dhe terrorizmin, të cilat prekin rajonin tonë dhe më gjerë. Ndaj e gjykojmë të arsyeshme që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe ndihma konkrete në këtë drejtim duhet të konkretizohet, duke mos mbetur në kufi të deklaratave retorike, siç e theksova edhe në seancën plenare. Mbetemi të gatshëm për të qenë kontribues aktivë në zgjidhjen e shumë situatave të vështira për kontinentin, ndaj do donim një ndihmë më aktive nga ana e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të BE, jo vetëm në këshilla, rekomandime, por edhe në një asistencë logjistike dhe teknike shumë më të mirë se deri tani”.

Në këtë konferencë, u bënë pyetje mbi çështjen e emigrantëve, përfshi dhe ngritjen e kampeve për to. Ministri austriak Kickl foli rreth masave të marrë duke nënvizuar se bashke me vendet e Ballkanit Perëndimor po diskutohen shumë forma bashkëpunimi për përballimin e këtij fenomeni.

Ministri Xhafaj në përgjigjen e dhënë në lidhje me pyetjen, ndër të tjera theksoi se “çështjet që lidhen me emigracionin e paligjshëm janë çështje të rëndësishme për vendin tim.  Ne jemi duke dhënë një kontribut tejet aktiv në këtë aspekt, edhe për shkak të rritjes së lartë të fluksit migrator gjatë këtij viti. Aktualisht ne kemi një rritje mbi 5 herë krahasuar me vitin e kaluar të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në territorin shqiptar. Ne jemi duke e përballuar më së miri këtë gjë, kemi diskutuar gjerësisht në vazhdimësi edhe me Ministrin e Brendshëm austriak dhe Brukselin për këtë temë. Mirëpresim natyrisht edhe të gjithë kontributin e mundshëm të Brukselit, edhe të Austrisë dhe të vendeve të tjera anëtare për të zgjeruar kapacitetet tona teknike në mënyrë që ta përballojmë më së miri këtë fluks migrator në rritje”.

Ministri Xhafaj gjatë fjalës së tij nënvizoi se “këtë 6-mujor, Shqipëria mban Presidencën e Konventës së Bashkëpunimit Policor të vendeve të Evropës Jug-Lindore. Në datat 4 dhe 5 tetor, me mbështetjen e Presidencës austriake, Tirana do të jetë mikpritëse e Forumit Ministerial për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.