Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 51 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/09/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 51

Buletini nr. 51,

Ministria e Brendshme në 1 javë (3 Shtator- 9 Shtator 2018)

MINISTRI

Ministri Xhafaj në Parlament për situatën e rendit dhe Sigurisë në vend

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë seancës në Parlament u ndal në situatën e rendit dhe sigurisë në vend dhe veçanërisht në Qarkun e Shkodrës. Sipas ministrit Policia e Shtetit është e angazhuar për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. “Natyrisht për ne, çdo rast vrasje përbën një ngjarje të rëndë, sepse janë jetë njerëzish, të cilët cenojnë qetësinë, rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që shumë shpejt do të përgjigjen përpara ligjit si autorët, ekzekutorët e tyre, ashtu edhe nxitësit e këtyre ngjarjeve të rënda penale. Kjo përsa i përket përgjegjësisë sonë shtetërore dhe përgjegjësisë përballë qytetarëve të Shkodrës”, tha ministri Xhafaj.

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës, ministri i konsideroi ato si një sulm agresiv të qëllimshëm për të nxirë imazhin e vendit dhe policisë. Ai bëri edhe një krahasim mes shifrave gjatë qeverisjes së PD dhe asaj aktuale përsa i përket numrit të vrasjeve. “Në Shkodër: në mandatin e tyre të parë, mesatarja ka qenë 12 vrasje në vit; në mandatin e dytë 15 vrasje në vit, mesatarja në vit e vrasjeve të ndodhura; në mandatin tonë të parë 9 vrasje; dhe për këtë vit janë 8, nga të cilat janë zbuluar 4 tani dhe janë në proces hetimi 4 vrasje të tjera. Pra statistikisht as që ka shifër që mund të krahasohet dhe po e them këtu me përgjegjësi të madhe publike, jo vetëm për këto lloj veprash penale, por për të gjithë treguesit statistikorë të krimit të këtij viti, krahasimisht me të gjitha vitet që ka qeverisur Partia Demokratike”, u shpreh Xhafaj. Ministri i Brendshëm garantoi se puna për goditjen e grupeve kriminale, do vijojë duke shënuar rezultate konkrete përmes operacionit “Forca e Ligjit”.

Mbledhje me drejtuesit kryesorë të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një mbledhje me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e Drejtorive Vendore Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë e Shkodër. Ministri Xhafaj u kërkoi drejtuesve të Policisë angazhim maksimal në funksion të rritjes së zbulueshmërisë në luftën kundër krimit, referuar ngjarjeve të fundit. Ministri kërkoi me forcë rezultate konkrete nga të gjitha strukturat, hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm si dhe efikasitet ne punën hetimore, përmes bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligj zbatuese. Gjatë takimit të zhvilluar, ministri inkurajoi për veprime hetimore policore të thelluara dhe bashkëpunim intensiv me Prokurorinë, si edhe denoncim të rasteve nëse do të rezultojë që prokurorë të caktuar zvarrisin e pengojnë ecurinë e hetimeve, apo hezitojnë të lëshojnë urdhra-ndalimi për persona të implikuar. Drejtuesit e Policisë kërkuan më shumë mbështetje nga Prokuroria, nga strukturat vendore të SHISH, si dhe nga institucionet e tjera.

MINISTRIA E BRENDSHME

Zv.ministrat, Voda, Lamallari e Hodaj, intervista në media

Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari në “News 24” foli mbi situatën e sigurisë në vend dhe luftën kundër krimit të organizuar. Në lidhje me situatën e kriminalitetit, ai u shpreh se është ulur numri i vrasjeve, ndërsa janë përgjysmuar tentativat për vrasje. Sipas tij, këto rezultate janë arritur përmes një pune të gjatë në kohë dhe në bashkëpunim me partnerët. Zv.ministri foli edhe rreth ecurisë dhe rezultateve të operacionin “Forca e Ligjit”.

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, në studion e Report Tv foli rreth aksioneve të policisë në Shkodër ku kanë ndodhur disa ngjarje kriminale. Ajo tha se në pranga do shkojnë edhe persona të tjerë, pasi sipas saj, ngjarjet janë ende në hetim. Ajo u shpreh se ato grupe kriminale që janë identifikuar, jemi të sigurt se do të shkojnë përpara drejtësisë.

Zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i ftuar në Ora News, shpjegoi ecurinë e operacioneve dhe situatën në qytetin e Shkodrës. Ai u shpreh se operacioni për kapjen e anëtarëve të një grupi kriminal në Shkodër nuk ka përfunduar ende. Në lidhje me gjendjen në këtë qytet ai u shpreh se  “Ajo që po ndodh në Shkodër është një situatë delikate, por jo e rënduar”. “Situata në Shkodër është një situatë që në këto terma ekziston prej shumë vitesh. Grupet kriminale nuk u krijuan sot, ishin atje dhe deri diku të konsoliduara. Sepse nëse do të flasim për shifra, ato janë më të ulëta. Unë besoj se operacioni nuk ka përfunduar, është në vijim sic priten edhe operacione të tjera. Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët vijim,” tha ai për Ora news.

SHÇBA arreston OPGJ-në pas denoncimit në media

Pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), arrestoi punonjësin e policisë A.Z., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Gramsh. Arrestimi u bë për shkak se dyshohet se i ka kërkuar dhe i ka marrë një qytetari, 50 mijë lekë, duke ushtruar presion se nëse nuk paguante, do ta arrestonte. Ngjarja në fjalë, sipas denoncimit të qytetarit, ka ndodhur në ambientet e komisariatit. Shtetasi ka deklaruar se pas presionit për arrestim, ai ka pranuar të paguajë shumën.

POLICIA E SHTETIT

Policia Federale Gjermane i dhuroi 10 automjete Policisë Kufitare

Policia Federale e Gjermanisë i dhuroi 10 automjete Policisë Kufitare për shërbimet e mbikëqyrjes së kufirit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku u zhvillua ceremonia e dorëzimit të automjeteve e pranishme ishte Ambasadorja e Gjermanisë Susanne SCHÜTZ  si dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Diplomatja theksoi se në të ardhmen Policia dhe qeveria gjermane do të mbështesin Policinë e Shtetit qoftë në asistencë teknike ashtu edhe në atë logjistike. Drejtor Veliu, e vlerësoi si mjaft efikase këtë ndihmë dhe theksoi se bashkëpunimi me partnerët është prioritet i punës së Policisë së Shtetit. “Këto automjete do të shërbejnë në rritjen e forcës goditëse si dhe në kontrollin më të mirë të kufirit tokësor për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme si dhe të migracionit të paligjshëm” u shpreh Veliu.

OPERACIONET E POLICISË

Shkodër/ “Forca e Ligjit” në veprim, goditen disa pjesëtarë të grupeve kriminale

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë, vunë në pranga 4 pjesëtarë të një grupi të rrezikshëm kriminal dhe shpallën në kërkim një tjetër. Kjo goditje u krye në kuadër të Operacionit ‘Forca e Ligjit’ dhe u përmbyll pas hetimesh intensive disamujore. Në operacion morën pjesë, përveç strukturave vendore të policisë, edhe efektivë të forcave speciale si FNSH, RENEA, TPO. Bazuar në 19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregtare, të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa armë zjarri, municione, mjete të blinduara dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme. Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet përkatëse procedurale për të zbardhur gjithë lidhjet e këtij grupi me persona që ushtrojnë veprimtari kriminale. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Tiranë/”Forca e Ligjit”, sekuestrohen 5 milion euro asete të një grupi kriminal

Policia e Shtetit sekuestroi rreth 5 milion euro asete të dyshuara se janë rezultat i veprimtarisë kriminale, në zbatim të vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda. Operacioni i zhvilluar në kuadër të “Forca e Ligjit”, nisi në muajin prill, kur në Spanjë u arrestuan dy shtetas shqiptarë, trafikantë kokaine nga Columbia në Europë. Shtetasve në fjalë, në momentin e arrestimit, iu sekuestruan 1.55 milionë euro ‘cash’. Gjykata në Shqipëri vendosi sekuestro preventive për llogaritë bankare dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasve A.N. dhe N.D. (që kanë disa emra alias) dhe familjarëve të tyre. Ndër pasuritë dhe asetet e konfiskuara janë 9 apartamente, disa dyqane e garazhe, disa llogari bankare, kuotat në një firmë ndërtimi, disa automjete luksoze etj., që, të përllogaritura me çmimin e tregut, kapin vlerën prej 5 milion eurosh.

Parandalimi i aksidenteve

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet për të rritur parametrat e sigurisë si dhe për të ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Gjatë 48 orëve efektivët e rrugores kanë kryer kontrolle në zona të ndryshme të kryeqytetit ku kanë ndëshkuar drejtues mjetesh për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, parakalime të gabuara në afërsi të kryqëzimeve, si dhe parkimet e gabuara brenda komplekseve dhe blloqeve të banimit, të cilat janë një shqetësim i përditshëm për banorët. Nga kontrollet janë evidentuar dhe ndëshkuar179 drejtues mjetesh. Gjithashtu përgjatë verifikimeve janë arrestuar në kushtet e flagrancës 8 drejtues mjetesh nga të cilët, 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti të papajisur me leje drejtimi.

Në Lezhë, Policia arrestoi në kohë rekord të dyshuarit e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shënkoll. Forcat e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas një  ndjekje të pandërprerë, prangosën dy persona. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohen si autorët të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj një personi të ndodhur në Shënkoll.