SHÇBA arreston punonjësin e Policisë Gjyqësore pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/09/2018

SHÇBA arreston punonjësin e Policisë Gjyqësore pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare”

Pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), arrestoi punonjësin e policisë Agron Zeka me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Arrestimi u bë për shkak se dyshohet se i ka kërkuar dhe i ka marrë një qytetari, 50 mijë lekë, duke ushtruar presion se nëse nuk paguante do ta arrestonte. Ngjarja në fjalë, sipas denoncimit të qytetarit, ka ndodhur në ambientet e komisariatit. Shtetasi ka deklaruar se pas presionit për arrestim, ai ka pranuar të paguajë shumën.

Pas verifikimeve të videos së publikuar, oficeri i Policisë Gjyqësore, Agron Zeka është vënë nën arrest nga SHÇBA dhe ndaj tij është ngritur akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

SHÇBA falenderon median për bashkëpunimin dhe garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim në media apo nga qytetarë dhe i nxit ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë.