Inaugurohet Pika Kufitare e Hanit të Hotit e rikonstruktuar - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/08/2018

Inaugurohet Pika Kufitare e Hanit të Hotit e rikonstruktuar

Janë inauguruar sot ambientet e rikonstruktuara të Pikës së Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Financimi i këtij projekti u bë me programet e asistencës së BE-së (IPA 2012) dhe shkoi rreth 2.5 milion euro. Projekti për PKK Hani i Hotit synon përmirësimin e infrastrukturës ndërkufitare ku përfshihet edhe terminali i ri doganor. Janë mbi 10 objekte të reja dhe janë rinovuar tërësisht ato ekzistuese. Nga ky investim pritet shërbim më cilësor ndaj qytetarëve, lehtësim veprimesh, por njëherësh edhe një sofistikim i kontrolleve për mallrat dhe mjetet që lëvizin nga dhe drejt Malit të Zi. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Nuhodžić, ambasadorët e BE-së në Tiranë dhe Podgoricë, znj. Vlahutin dhe z.Orav, si dhe përfaqësues të policive dhe doganës nga të dy shtetet.

VIDEO   Fjala e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

I nderuar miku dhe kolegu im Nuhodžić,
Të nderuar Ambasadorë të BE, zonja Vlahutin dhe zoti Orav,
Të nderuar pjesëmarrës, zonja e zotërinj,

Jemi sot këtu për të përuruar objektet e reja moderne në këtë pikën të kalimit kufitar çka përbën një dëshmi konkrete të përmbushjes së angazhimit evropian ndaj Shqipërisë. Financimi i këtij projekti nga programet e asistencës së BE-së, (IPA2012) shkon rreth 2.5 milion euro. Përfitojmë nga rasti për ta falënderuar BE-në, si dhe përfaqësuesit zyrtarë të pranishëm në këtë ceremoni, për ndihmën dhe kontributin e dhënë për ta sjellë këtë pikë kalimi në gjendjen që shohim sot.

Projekti për PKK të Hani të Hotit, siç i themi ne këtej, synon përmirësimin e infrastrukturës ndërkufitare ku përfshihet edhe terminali i ri doganor. Janë ndërtuar mbi 10 objekte të reja, dhe janë rinovuar tërësisht ato ekzistuese. Nga ky investim pritet një shërbim më cilësor ndaj qytetarëve, një lehtësim veprimesh të njerëzve dhe kryesisht të mallrave, por njëherësh edhe një sofistikim i kontrolleve për mallrat dhe mjetet, që lëvizin nga dhe drejt Republikës së Malit të Zi dhe më tej.

Përurimi i sotëm pason atë të PKK të Morinës në Kukës, ceremonia e së cilës u zhvillua javën e kaluar.

I përmenda këto dy projekte, për të shprehur një falënderim të veçantë për Ambasadoren Vlahutin, e cila ka qenë personalisht e angazhuar në implementimin e tyre, së bashku me stafin e saj të mrekullueshëm të Delegacionit në Tiranë. Ju faleminderit zonja Ambasadore! Keni bërë vërtet shumë. Kam qenë plotësisht i bindur që ju nuk do të largoheshit nga Shqipëria, pa i përfunduar këto dy projekte. Më në fund edhe unë nuk do kem në inboksin e telefonit tim vazhdimisht mesazhe: “çfarë bëhet me Morinën? Çfarë bëhet me Hanin e Hotit! Nuk po punohet mirë atje. Jemi mbrapa, kur do përfundojnë?” – dhe të dy besoj se do të biem të qetë për këto ditë gushti të nxehta që të mos kemi më korrespondenca të tilla.

Qeveria shqiptare ka ndër prioritetet e saj zhvillimin e turizmit dhe prandaj po punohet që edhe portat hyrëse në vendin tonë të kenë standarde të vendeve të përparuara.

Është një fakt inkurajues që ky sezon turistik ka qenë i mbarë dhe me një aktivitet normal në pikat tona të kalimit kufitar. Masat që kemi marrë në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, parashikojnë edhe lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve në portat hyrëse, një ngarkesë që deri më sot për fat është përballuar më së miri dhe që natyrisht ky zgjerim i pikës hyrë në këtë kalim kufitar, do ta lehtësojë akoma më shumë këtë lëvizje.

Objektet e reja që përurojmë sot, do të japin ndihmesën e vet në lehtësimin e qarkullimit të shpejtë edhe të turistëve nga vendi ynë por edhe ata që hyjnë në territorin tonë. Synimi kryesor është që në këtë pikë kufitare të kemi ambiente dhe infrastrukturë të nivelit dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Shengenit. Jemi të bindur se ky investim do të realizojë pritshmëritë për të pasur një menaxhim të kufirit shumë më cilësor se në të shkuarën, e tashmë të krahasueshëm me vendet e BE-së.

Me këtë investim, kjo PKK arrin në parametrat e një pikë kalimi të kategorisë së parë. Standardet e shërbimit dhe përpunimit do të jenë në përputhje me ato të BE-së (Shengen). Ky përmirësim do të lehtësojë së tepërmi, qoftë kalimin kufitar të shtetasve, turistëve etj., ashtu edhe përpunimin dhe kontrollin e mallrave nëpërmjet doganës.

Ambientet e reja të ndërtuara, do t’u japin mundësi agjencive ligj zbatuese, të kryejnë edhe më lehtësisht dhe me efikasitet menaxhimin e kufirit. Po kështu, këto do t’u shërbejnë autoriteteve doganore; atyre të kontrolleve veterinare e fitosanitare; etj., pra një sërë përfaqësuesish të agjencive ligjzbatuese të vendit për të kryer shumë më mirë detyrën e tyre.

Gjithashtu qeveria shqiptare ka parashikuar një fond të posaçëm dhe do të nisë së shpejti punimet për një ndërtesë të re për administratën në këtë Pikë të Kalimit Kufitar. Afatet fillestare të këtij projekti është e vërtetë se janë shtyrë në kohë, por, gjithsesi sot jemi përballë një pune të kryer, prandaj përfitojmë nga rasti të përgëzojmë të gjitha institucionet e përfshira në realizimin e tij, në radhë të parë financuesit e donatorët nga BE, për pa dyshim edhe ata që kanë punuar e kontribuar këtu, në mënyrë të veçantë punonjësit që me punën e tyre kanë bërë që këto punime të jenë të paktën në dukje, punime cilësore dhe shpresoj që t’i rezistojnë natyrisht edhe kohës.

Shprehim kënaqësinë tonë kur shohim objektet e reja të ndërtuara, zgjerimin e korsive për mjetet dhe kamionët, ndërtimin e kabinave të kontrollit me pajisje moderne, ambienteve të ndryshme me qëllim lehtësimin e qarkullimit të lirë dhe të sigurt të udhëtarëve, turistëve e biznesit.

Suksesi i këtij projekti të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e BE është një tregues i padiskutueshëm i orientimit politik dhe aspiratave tona për integrimin e plotë në familjen e madhe evropiane. Jemi të ndërgjegjshëm se rruga jonë për në destinacionin final ka ende sfida dhe objektiva për t’u arritur, por ngjarje të tilla të shfaqjes së vullnetit dhe kontributit të përbashkët përbëjnë një dëshmi të qartë të asaj çfarë kërkojmë të arrijmë bashkërisht.

Bashkimi Evropian ka lindur si një model i qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve të ndryshme, por kjo nënkupton njëherësh edhe rritje të kapaciteteve për garantimin e sigurisë mes vendeve përkatëse. Sot, rajoni dhe gjithë zona e BE-së, po ndeshet me fenomenin e migracionit të paligjshëm, të shoqëruar edhe me fenomene të tjera që cenojnë apo paraqesin një sfidë për parametrat e sigurisë së vendeve anëtare. Për të pasur standarde të larta sigurie në vend, është e domosdoshme të bëhet një menaxhim i mirë i kufijve në mënyrë që jo vetëm të prodhojë garanci për vendet përkatëse, por për të gjithë rajonin e familjen e madhe evropiane.

Një vend i sigurt bën edhe një rajon më të sigurt, prandaj menaxhimi i integruar i kufijve ka një rëndësi të veçantë dhe është një bonus në përpjekjet e vendeve tona për të hyrë nesër në familjen evropiane.

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të shpreh edhe njëherë mirënjohjen tonë për Bashkimin Evropian, delegacionet përkatëse në Podgoricë dhe Tiranë, Ambasadorët dhe stafet e tyre që janë marrë nga afër me realizimin e këtij projekti. Një faleminderit të veçantë dua t’i shpreh kolegut tim z. Nuhodžić, pasi e di që ka anulluar programin e tij për të qenë këtu sot bashkërisht sot. Eshtë edhe kjo një shprehje tjetër e bashkëpunimit tonë shumë miqësor, pjesë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe dy qeverive tona.

Ju faleminderit të gjithëve dhe përfitoj nga rasti t’ju uroj pushime të gëzuara! Shpresoj që të mos e kemi zgjatur shumë që vapa e gushtit të ketë sjellë shqetësim për ju dhe në mënyrë të veçantë të mos sjellë shqetësim për ata që dëshirojnë të kalojnë këtu.

Shumë faleminderit të gjithëve!