Përurohen ambjentet e reja në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/07/2018

Përurohen ambjentet e reja në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës

Në një ceremoni të zhvilluar sot në Morinë të Kukësit, janë përuruar ambientet e reja të kësaj pike të kalimit kufitar, në mbyllje të një projekti të menaxhuar nga BE, që shkon afër 1 milion euro. Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, zyrtarë të policive dhe doganave si dhe ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë e Prishtinë.

Tashmë PKK Morinë vlerësohet se është në përputhje me standardet e Shengenit dhe do të ketë efekt përmirësues në menaxhimin e kufijve të Shqipërisë në përputhje me kërkesat e BE-së.

Janë modernizuar pajisjet dhe ambjentet në funksion të lehtësimit të kalimit të shtetasve në të dy anët e kufirit, ndërkohë që janë plotësuar ambientet e punës për autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e kufirit, migracionit, doganat, kontrollet veterinare dhe fitosanitare.

Këto ndryshime do të lehtësojnë së tepërmi edhe transportin e mallrave në këtë pikë kalimi të kufirit, pasi mjetet do të procesohen në një pikë të vetme të përbashkët.

Në këto objekte do të akomodohen specifikisht administrata e Doganës Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe Policia Shqiptare dhe ajo e Kosovës.

Këtij financimi i është shtuar edhe financimi i Qeverisë shqiptare, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për ndërtimin e Terminalit të autobusëve, Godina e inspektimit (kontrolli i vijës së dytë), Godina e Inceneratorit (për mallrat e ndaluara nga AKU) dhe Punime të jashtme duke kompletuar kështu projektin e plotë të Pikës së Kalimi Kufitar.

Nga të dhënat e Kufirit rezulton se pas vënies në punë të ambjenteve të reja, vetëm gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar në të dy anët rreth 35 mijë shtetas.