Durrës – Zv.ministrja Voda takim me strukturat e Task Forcës Rajonale, për antikanabisin - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/07/2018

Durrës – Zv.ministrja Voda takim me strukturat e Task Forcës Rajonale, për antikanabisin

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda mori pjesë në analizën e Task Forcës Rajonale në Durrës, për luftën kundër kultivimit të kanabisit, të zhvilluar në Prefekturën e Qarkut. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e Task Forcës Vendore dhe ata të pushtetit lokal, të kryesuar nga Prefekti i Qarkut z.Roland Nasto.

Gjatë takimit u analizuan rezultatet e arritura në 6 mujorin e parë të vitit 2018, duke theksuar një rënie të ndjeshme të rasteve të evidentuara edhe në raport me 1 vit më parë.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda deklaroi se lufta ndaj kultivimit të kanabisit duhet të vazhdojë me tolerancë zero. “Nëse në vitin 2017 falë punës dhe angazhimit të Policisë së Shtetit, Shqipëria u hoq nga harta e vendeve të kultivimit të kanabisit, në 2018 duhet të kemi rezultate edhe më të mira kundrejt këtij fenomeni”, theksoi zv.ministrja Voda.

Gjatë analizës u dhanë dhe rekomandime për vazhdimin e punës në zbatim të Planit Kombëtar Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2018–2020.