Vettingu në Polici/Gati ta impelementojë edhe Policia maqedonase - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/06/2018

Vettingu në Polici/Gati ta impelementojë edhe Policia maqedonase

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj priti sot një delegacion nga MPB-ja e Maqedonisë, kryesuar nga zv.ministri Agim Nuhiu. Takimi ishte me kërkesë të palës maqedonase, për njohjen me detajet e ligjit për “Vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA” ose i njohur ndryshe si Vetting-u.

Zv.ministri Julian Hodaj bëri një prezantim të gjithë hapave të ndërmarrë për nisjen e procesit të Vetting-ut dhe ecurinë aktuale. Ai theksoi se ky proces erdhi si domosdoshmëri për t’u bashkëngjitur gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet, punonjës policie me të njëjtat standarde. Ai nënvizoi se ky ligj në vetvete nuk ka qëllim të jetë një ‘fshesë’, por ka në fokus promovimin e pjesës së shëndoshë të Policisë së Shtetit.

Zv.ministri Nuhiu përgëzoi homologun shqiptar për hapat e ndërmarrë në këtë proces. Ai deklaroi se është arritur një kompromis në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe kërkohet që të nisë procesi i Vetting-ut. Z.Nuhiu u njoh me mekanizmat e ligjit dhe ndihmën e ekipit të ekspertëve që bënë të mundur hartimin e tij. Duke qëndruar te Vetting-u, zv.ministri Nuhiu deklaroi se fillimisht ky proces do të nisë në polici dhe më pas do të vijojë edhe në gjyqësor.

Zv.ministri Hodaj deklaroi se në procesin e Vetting-ut një rol të rëndësishëm kanë pasur asistencën ndërkombëtare nga misionet ICITAP dhe PAMECA. Ai i sugjeroi homologut maqedonas bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si një garanci për reflektimin e standarteve ndërkombëtare të fushës dhe paanshmëri e besueshmëri të vetë procesit dhe rezultateve të tij.

E pranishme në takim ishte edhe Drejtoresha e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Anila Trimi, e cila e njohu palën maqedonase mbi punën e shërbimit.