Zv.ministri Hodaj: Nuk kërkohen dokumente shoqërues për formularët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/04/2018

Zv.ministri Hodaj: Nuk kërkohen dokumente shoqërues për formularët

VETTINGU – Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj: Nuk kërkohen dokumente shoqërues për formularët

VETËM DEKLARIME, JO DOKUMENTE SHOQËRUES

Përsa u përket dokumenteve, e kemi sqaruar me një seri telegramesh – nuk duhen dokumente shoqërues për formularët! Formularët janë deklarativë, që do të thotë, “personi deklaron!” Ligji parashikon që nëse dikush do që formularin ta shoqërojë me dokumente, është i lirë ta bëjë. Por nuk është kusht që formulari të shoqërohet. E rëndësishme është që në formular të deklarohet gjithmonë e vërteta, të mos deklarohen të dhëna të rreme dhe të mos fshihet gjë.

Siç doli problemi – a duheshin certifikata familjare dhe personale? – Nuk duhen. Duhen thjesht fotokopje të dokumenteve të identitetit të pjesëtarëve të familjes për të verifikuar numrat e identitetit apo numrin personal të identifikimit. Pra, nuk duhen shoqëruar me dokumente të tjera, nuk duhen certifikata pronësie, kontrata etj.

A MUND TË SHTYHET AFATI I DEKLARIMIT?

Afati 30 ditor është një afat që e përcakton ligji dhe për të shtyrë një afat 30 ditor që përcakton ligji, duhet amenduar ligji. Procesi ka kaluar në një konsultim, është në dispozicion të të gjitha institucioneve, edhe të vetë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe askush nuk e ka ngritur si shqetësim. Dhe është menduar se 30 ditëshi është një afat normal, duke qenë se nuk ka nevojë për dokumente shoqërues.

ASNJË PENALIZIM PËR GABIME MATERIALE NË DEKLARIM

Nga ana tjetër, strukturat e financës dhe të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës janë në dispozicion të punonjësve për t’u dhënë atyre të dhëna që nuk mund t’i gjejnë kollaj në lidhje me të ardhurat që kanë marrë nga pagat apo nga shpërblimet. Dhe normalisht është institucioni që duhet të përgjigjet për atë pjesë dhe nuk mund t’i ngarkohet individit.

Nuk do të penalizohet asnjë efektiv për gabime materiale, të cilat mund të korrigjohen nga vetë institucioni. Kur çdo punonjës policie ka paqartësi, është gjithmonë mirë të kontaktojnë e të verë në dijeni institucionin dhe ata i kanë të gjitha përgjigjet e problemeve që kanë dalë deri tani në praktikë.