Konsultimet dypalëshe për fluksin e refugjatëve, Voda pret delegacionin slloven - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/04/2018

Konsultimet dypalëshe për fluksin e refugjatëve, Voda pret delegacionin slloven

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda priti në një takim pune një delegacion slloven të kryesuar nga Bostjan Sefiç, Sekretar i Shtetit në MPB të Sllovenisë, i cili shoqërohej nga zyrtarë të tjerë të lartë dhe të Policisë sllovene.

Gjatë takimit u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me konsultimet e afërta mes dy palëve në lidhje me fluksin e refugjatëve, azilkërkuesve dhe luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore në kuadër të sezonit veror që afron.

Zëvendësministrja Voda bëri një shtjellim të masave të marra nga Qeveria shqiptare për përballimin dhe parandalimin e çështjeve që kanë të bëjnë me refugjatët, azilkërkuesit apo trafikantët e qenieve njerëzore.

Voda tha se Eurostat e ka hequr Shqipërinë nga lista problematike e vendeve të origjinës të azilkërkuesve. Ajo nënvizoi bashkëpunimin mjaft të mirë dhe efikas me vendet fqinjë dhe përmendi disa nga masat e marra si patrullimi i përbashkët, skanimi 100% i mjeteve që tranzitojnë ose futen në vendin tonë, si dhe strukturat e krijuara për trajtimin e refugjatëve në Shqipëri në bashkëpunim me IOM dhe UNHCR. Zëvendësministrja theksoi rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar me Frontex dhe mundësinë e prezencës duke filluar që nga vera e këtij viti në territorin shqiptar.

Zyrtari slloven shprehu shqetësimin për gjendjen e krijuar nga dyndja e refugjatëve dhe theksoi se shifrat do të vazhdojnë të rriten duke qenë se Sllovenia është vendi i parë i kufirit Schengen për Ballkanin ndërkohë që Austria i ka mbyllur kufijtë. Ai kërkoi bashkëpunimin me palën tonë për frenim sa më të madh të kësaj lëvizjeje dhe për të përballuar këtë problematikë ai sugjeroi disa masa të tilla si:

– rritjen e bashkëpunim në nivele politike dhe teknike,

– bashkëpunimin operacional mes policive dhe

– shkëmbimin e informacionit lidhur me migracionin ilegal, mundësisht ditor mes strukturave përkatëse.

Voda u shpreh parimisht dakord me propozimet, duke përmendur edhe praktikat efikase aktuale që mund dhe duhet të shfrytëzohen, si dhe bashkëpunimi mes zyrave të INTERPOL Tiranë-Lubjanë. Ajo sugjeroi që pala sllovene të vendosë një oficer kontakti pranë Policisë shqiptare, propozim i cili u mirëprit nga bashkëbiseduesit.

Takimi u mbyll me shprehjen edhe një herë të mbështetjes të palës sllovene në hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit në BE.

  • No posts found.