Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ftuar në “Repolitix” në Report TV - Ministria e Brendshme
Postuar më: 06/04/2018

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ftuar në “Repolitix” në Report TV

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ftuar në “Repolitix” në Report TV:

VIDEO    Denis Minga: Doja ta nisja me protestën e Kalimashit, ka kaluar 1 javë dhe më kujtohet edhe deklarata juaj e parë pas protestës, dua të citoj: “grupe individësh të papërgjegjshëm, në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin edhe elementë me të shkuar të rëndë kriminale si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime të tubimit”. Një deklaratë shumë e fortë kjo u duke fillimisht. Të arrestuarit janë këta që ju iu referoheni në deklaratë, z.Xhafaj, apo ka elementë të tjerë?

Ministri Xhafaj: Së pari duhet të bëjmë një dallim që është shumë i rëndësishëm, ndërmjet atyre që protestuan për një të drejtë të ligjshme të tyre, për një shqetësim të banorëve të qytetit të Kukësit, arsye për të cilën kishin pasur edhe një dakordësi me Policinë, apo arsye për të cilën ata kishin dalë në protestë, dhe organizatorët e protestës ishin angazhuar që do të ishte një protestë paqësore, dhe me ata të cilët e shfrytëzuan këtë protestë për të ushtruar dhunë ndaj forcave të Policisë dhe për të dëmtuar pronën publike dhe pronën e një biznesi të ligjshëm në veprimtarinë e tij. Ky dallim është shumë i rëndësishëm.

Në atë komunikatë ose në atë dalje publike timen, kam folur, nga njëra anë, për të drejtën e ligjshme që kanë banorët e qytetit të Kukësit dhe çdo qytetar në këtë vend, dhe për detyrimin për të protestuar, sipas ligjit, dhe detyrimin që ka policia për t’ua garantuar këtë të drejtë. Policia nuk është aty për ta ndaluar por është për ta mbrojtur të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit. Dhe policia ishte aty pikërisht për këtë gjë.

Ajo çfarë ishte në shkelje të ligjit dhe në shkelje të së drejtës edhe të atyre qytetarëve që kishin dalë për t’u tubuar, ishte fakti që një grup njerëzish, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, – unë besoj fort, – të shtyrë në këtë akt papërgjegjshmërie, shkuan përtej kufijve që lejon ligji.

Dhe besoj që Policia bëri detyrën në këtë rast, në kufijtë e mundshëm të situatës konkrete. Dhe policia, me shumë qëtësi, me shumë profesionalizëm shmangu një përplasje që dëshirohej nga individë të caktuar midis Policisë dhe qytetarëve që kishin dalë për t’u tubuar.

Denis Minga: A keni patur informacion se mund të ndodhte ajo që ndodhi pra djegiet sepse mediat faktikisht, një ditë para, të premten ne pothuaj nuk e dinim fare se çfarë do ndodhte ne Kalimash?

Ministri Xhafaj: Ka një fakt konkret, ky tubim u iniciua nga Këshilli bashkiak i Kukësit. Dhe logjika ta do që kur në krye të një tubimi, janë këshilltarët, përfaqësuesit lokal të komunitetit të asaj zone, të cilët janë njerëz që e njohin shumë mirë ligjin, njohin shumë mirë edhe kufijtë e veprimit të tyre në një rast të tillë, do të zhvillonin një protestë paqësore.

Forcat e Policisë ishin të përgatitura për këtë, dhe ne nuk kishim forca shtesë aty për shkak se midis drejtuesve vendorë të policisë dhe këshilltarëve që ishin organizatorë të kësaj proteste, kishte një dakordësi për kufijtë ku do të zhvillohej kjo dhe për mënyrën paqësore të zhvillimit të saj.

Ajo që ndodhi unë besoj se nuk është pjesë e kërkesës apo dëshirës së njerëzve që kishin dalë atje, por ishte prapavijë e një grupit tjetër të cilët dëshironin ta shfrytëzonin këtë aspiratë të ligjshme, këtë kërkesë të ligjshme, në një konfrontim ndërmjet banorëve dhe policisë.

Ajo që forcat e Policisë bënë aty ishte që shmangën pikërisht një përplasje të kësaj natyre.

Denis Minga: Ju thoni që pati një prapavijë nga një grup i caktuar. Është prapavijë politike, prapavijë nga një grup kriminal, çfarë prapavije z.Ministër?

Ministri Xhafaj: Besoj që prapavija është politike. Opozita ka dashur dhe shtyn fort përplasjen dhe krijimin e tensionit dhe të konfliktit politik në këto momente.

Denis Minga: Pse sipas jush?

Ministri Xhafaj: Sepse opozita ka gjetur rrugën e gabuar për të adresuar problemet, ka gjetur rrugën e gabuar për të vendosur komunikimin dhe për të përfaqësuar njerëzit që ajo mendon se i përfaqëson dhe sepse në këto momente dëshiron të rrisë tensionin politik edhe për shkak të faktit që Shqipëria është përpara disa ngjarjeve të rëndësishme siç është hapja e negociatave.

Denis Minga: Nga informacionet që ju keni a ka pasur tentativë për të destabilizuar vendin gjatë kësaj jave?

Ministri Xhafaj: Duhet të bëjmë një dallim mes protestës së ligjshme ose dëshirës për të protestuar të qytetarëve për çështje të caktuara dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara politike apo dhe grupe të tjera, brenda dhe jashtë vendit për ta destabilizuar situatën.

Për të destabilizuar situatën në Shqipëri, padyshim që ka interesa të caktuara. Ka interesa edhe që lidhen dhe reflektohen në një sërë mënyrash dhe në një sërë aspektesh që padyshim do të dëshironin të krijonin destabilitet në vend.

Denis Minga: Vetëm nga brenda apo edhe nga jashtë?

Ministri Xhafaj: Padyshim edhe nga jashtë…

Denis Minga: Keni informacione, a ka kaluar rreziku? Mund të na thoni diçka pa fshehur atë që është puna juaj e përditshme?

Ministri Xhafaj: Ka pasur një rrezik të shtuar në javën që kemi kaluar. Forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, por edhe agjenci të tjera si Shërbimi Sekret, por edhe ato partnere kanë përballuar më së miri me shumë sukses parandalimin e disa ngjarjeve të cilat nëse do të ndodhnin do të ishin të rënda.

Denis Minga: Kur thoni që ka pasur tentativë nga jashtë për të bërë destabilitet?

Ministri Xhafaj: Deri këtu është e mjaftueshme

Denis Minga: Ky bashkëpunim i kësaj përpjekje nga jashtë ka ardhur me partitë tona politike të brendshme?

Ministri Xhafaj: Nuk mund të them këtë gjë, s’ka lidhje kjo.

Denis Minga: Pra nuk ka lidhje me opozitën?

Ministri Xhafaj: Jo absolutisht jo. Unë nuk e besoj këtë gjë, të jetë një gjë e tillë. Sipas meje nuk ka lidhje.

Denis Minga: A ka pasur persona të ndaluar për këto tentativa që ne ndoshta nuk i dimë?

Ministri Xhafaj: Është një çështje që nuk meriton më shumë.

Denis Minga: Në parim, rreziku ka kaluar apo shteti ynë vijon të jetë vigjilent në raport me këtë tentativë destabiliteti?

Ministri Xhafaj: Po vazhdon të jetë. Ne kemi të angazhuar sot një pjesë të mirë të Policisë. Një pjesë të mirë të Shërbimit Sekret dhe agjencive të tjera që janë të përfshira në këtë proces, në parandalimin ose në vëmendjen e shtuar për të qenë të kujdesur dhe për tu përballur me mundësitë që ekzistojnë potencialisht për ngjarje të rënda.

Denis Minga: SHBA janë në dijeni të këtyre skenarëve dhe po bashkëpunojnë me ju?

Ministri Xhafaj: Sigurisht që po. Në mënyrë shumë aktive.

Denis Minga: Kemi pasur një pjesëmarrje të pazakontë të forcave të policisë, rreth njëmijë për një proces gjyqësor.

Ministri Xhafaj: Jo nuk jeni i saktë.

Denis Minga: Të paktën media kështu ka folur. Sa ka qenë numri i policëve?

Ministri Xhafaj: Kurrsesi nuk ka qenë, se nuk kemi 1 mijë për këtë gjë. Do të na duhej të mblidhnim forcat e policisë nga rrethet e tjera. Të paktën të dedikuar për këtë lloj shërbimi nuk kemi 1 mijë vetë.

Denis Minga: Kjo është mosbindja civile z.Ministër, pasi e kemi zgjedhur këtë rast në video, se ky është një qytetar i linçuar nga ata që kanë bllokuar rrugën dhe nuk ka asnjë prani policie këtu. Mund të ndodhte që këta njerëz të dilnin jashtë kontrollit dhe këtu nuk shikojmë asnjë polic.

Ministri Xhafaj: E para njëherë besoj se kjo është një çështje operacionale që i takon drejtuesve të policisë që merren me operacione të kësaj natyre. Në të tre rastet, veprimet e Policisë janë në përputhje me ligjin dhe janë brenda standardeve dhe detyrave profesionale. Askush deri tani nuk mund të provojë të kundërtën. E di që ka disa kallëzime për këtë çështje nga subjekte të ndryshme.

Denis Minga: Kur thoni profesionale, a duhej lejuar kjo djegia, apo ishte mënyra për të shmangur përplasjen?

Ministri Xhafaj: Padyshim që po. Midis një përplasje të dëshiruar nga elementë të papërgjegjshëm dhe e ritheksoj edhe një herë, jo nga banorët e Kukësit, jo nga qytetarët e respektuar të Kukësit, por nga disa elementë të papërgjegjshëm në atë tubim dhe sigurisht nga nxitësit e tyre. Padyshim kjo ishte mënyra më e mirë për ta evituar një përplasje e cila mund të kishte pasoja shumë-shumë më të rënda. Dhe në këtë mënyrë, Policia gjeti formën më të përshtatshme për ta evituar këtë përplasje.

Denis Minga: Ndërkohë në rastin e bllokimit të rrugëve me syrin tonë të lirë nuk kemi parë prani të forcave të rendit. Dukej sikur ia kishit lënë gjithçka opozitës?

Ministri Xhafaj: Ishte bllokim trafiku dhe ne kishim lënë në krye të detyrës punonjësit e trafikut. Janë evidentuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto tubime dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë organizuar dhe nxitur një tubim të paligjshëm dhe me pasoja. Në rastin konkret dhe unë besoj që Policia do bëjë detyrën që i njeh dhe i detyron ligji për t’i referuar dhe proceduar pranë organeve të Prokurorisë.

Denis Minga: Policia ka proceduar penalisht liderët e opozitës. Dua ta lidh pak edhe me deklaratën e ambasadorit që “ mosbindja civile kërkon edhe marrje përgjegjësish”.

Ministri Xhafaj: Policia ka bërë detyrën. Ka përcaktuar se cilët janë nxitësit, cilët janë organizatorët. Cilët janë ata që kanë vepruar për ta sjellë këtë pasojë siç është bllokimi i rrugëve nacionale dhe Policia do t’ia referojë ose ja ka referuar Prokurorive të Rretheve Gjyqësore. I takon tani Prokurorisë për të bërë detyrën.

Denis Minga: Jemi mësuar gjithmonë që Policia e bën, por a do të ndryshojë këtë herë diçka, apo përsëri opozita do të bëjë atë që ka bërë si çdo herë dhe nuk do të ndodhë asgjë?

Ministri Xhafaj: Ju e keni gabim, nuk është se nuk ndodh asgjë. Vetëm në tubimet e mëparshme ka pasur referime dhe ka pasur në mos gaboj rreth 40 persona të ndëshkuar penalisht për pjesëmarrje dhe organizim të tubimeve të paligjshme. Zakonisht media i quan të tejkaluara këto dhe nuk i ndjek në proces. Nëse dikush nga gazetarët tuaj do të interesohej për të parë fatin e procedimeve të mëparshme do të konstatonte që ka pasur jo thjesht vetëm referime penale, por ka pasur edhe çështje gjyqësore dhe në fund të tyre ka pasur masa penale.

Denis Minga: Ju kujtoj kolegun tuaj europian Fleckenstein që u shpreh se nëse unë do bllokoja rrugën, njerëzit do më vrisnin në rrugë, tha Fleckenstein, duke iu referuar faktit që një deputet mund ta bëjë një gjë të tillë. Nesër z.Basha, znj.Kryemadhi, mund ta bllokojnë sërish rrugën z.Ministër, çfarë do bëjë policia, apo të njëjtën gjë?!

Ministri Xhafaj: Atë që i njeh ligji, kompetencat që i njeh ligji.

Denis Minga: Edhe në rastin kur ata e bllokojnë në mënyrë të paligjshme?

Ministri Xhafaj: Po në varësi me pasojën dhe në kufijtë me çfarë parashikon ligji.

Denis Minga: Duke përfunduar me këtë temë të parë, një koment edhe për këtë forcë të madhe të forcave të policisë në gjykatë. Dukej sikur kishte një panik nga forcat e policisë!
Ministri Xhafaj: Jo, nuk ishte panik, ishte kujdes. Së pari për të zhvilluar një proces gjyqësor në mënyrë sa më të rregullt dhe në kushtet e një tensioni të jashtëzakonshëm të atyre ditëve, por edhe të një provokimi të hapur publik, jo thjesht dhe vetëm nga individë të caktuar por edhe nga grupe politike. Për të evituar çdo lloj përplasjeje dhe për të krijuar normalitet në ushtrimin e drejtësisë, policia mori masa të shtuara. Nëse do të kishte qoftë edhe një anomali të kësaj natyre, për një gjë të paralajmëruar, për një gjë të njohur, plotësisht në kompetencat dhe përgjegjësitë e policisë, atëherë publiku do të kishte të gjithë të drejtën që të pretendonte dhe të kishte shqetësim lidhur me përgjegjësitë që ka policia. Policia ka bërë detyrën.

Denis Minga: Dua t’ju pyes në cilësinë e politikanit, ju jeni një politikan i vjetër tashmë. Kryeministri ka thënë në një koment në lidhje me taksën apo tarifën e rrugës, si e menaxhoi sipas jush, shumica, qeveria këtë çështje dhe tërheqja, çfarë do të thotë në këtë rast?

Ministri Xhafaj: Unë nuk besoj se ka një tërheqje, natyrisht ka një reflektim nga shumica, nga qeveria, Kryeministri e ka bërë publik këtë fakt që do të duhej që të kishte një fazë përgatitore shumë më të mirë për vendosjen e kësaj tarife dhe këtij rregulli të ri në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në atë segment rrugor. Gjë që nuk ndodhi dhe nuk u krye, nuk pamë të kishte një komunikim intensiv me komunitetin aty, me aktorë të ndryshëm, me të gjithë ata që kanë lidhje drejtpërdrejt dhe që ka efekte të mëdha në jetën e tyre apo në veprimtarinë e tyre nga vendosja e kësaj tarife në përdorimin e rrugës. Kjo ishte një gjë që do të duhej bërë më mirë. Ajo çfarë po ndodh është pikërisht që u reflektua dhe të reflektosh është forcë.

Denis Minga: A do ketë kosto politike për mazhorancën?

Ministri Xhafaj: Nëse nuk do të reflektonte mund të kishte kosto. Për sa kohë që reflektoi dhe për sa kohë që është duke ndërtuar tashmë një proces komunikimi aktiv, një proces reflektimi në mënyrën se si do ta trajtojë këtë gjë, unë besoj se do të ketë mirëkuptimin e duhur, jo vetëm nga qytetarët e bizneset, por edhe nga vetë banorët e qarkut të Kukësit, Tropojës e Hasit.

Denis Minga: Ju i përkisni një qeverie të majtë, a mos janë të shumta këto taksa, pra një politike jo shumë e majtë? Si e shikoni, këtë brenda qeverisë?

Ministri Xhafaj: Janë të njëjtat praktika, rregulla që vendosen në të gjitha vendet europiane, pavarësisht nëse është e majtë apo e djathtë. Përdorimi i rrugëve bëhet edhe nga të majtët, edhe nga të djathtët. Rrugët duhet të mirëmbahen edhe nga të majtët, edhe nga të djathtët  (E PLOTË)