Intervista e ministrit Xhafaj në VOA pas takimeve në DASH - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/03/2018

Intervista e ministrit Xhafaj në VOA pas takimeve në DASH

VIDEO Intervista e ministrit Xhafaj në VOA pas takimeve në DASH dhe Kongresin amerikan:

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafaj, mirëserdhët! Kjo është vizita juaj e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ministër i brendshëm. Cili është qëllimi i vizitës?

Ministri Xhafaj: Së pari qëllimi im ishte që të kontaktoja drejtpërsëdrejti me Agjencitë ligj zbatuese me të cilat ne bashkëndajmë çështje, interesa dhe punë të përbashkëta, për t’u shprehur atyre vlerësimin për atë çfarë janë duke bërë dhe njëkohësisht mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen dhe asistencën që janë duke na ofruar, dhe njëherësh për të trajtuar cështje që kanë të bëjnë me thellimin e këtij bashkëpunimi, për të gjetur instrumenta të përbashkët në funksion të prioriteteve dhe të sfidave të përbashkëta dhe natyrisht për të kërkuar edhe më shumë mbështetje dhe asistencë.

Zëri i Amerikës: A keni kërkuar mbështetje konkrete nga agjencitë ligjzbatuese si FBI ose DEA për operacionet e Policisë shqiptare dhe konkretisht për çfarë rastesh?

Ministri Xhafaj: Së pari më duhet të them se unë kisha vizitë në të dyja këto institucione prestigjioze. Në të dyja këto agjenci ligjzbatuese, emri i të cilave sot është përtej kufijve të SHBA-ve dhe që kanë një histori pozitive në marrëdhëniet me Ministrinë e Brendshme, me Policinë e Shtetit dhe me agjenci të tjera ligj zbatuese në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur për çfarë diskutova me to dhe mbi të gjitha, për vlerësimet që kam marrë për punën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në këto momente.

Natyrisht, në vijim të asaj çfarë kemi ndërtuar, kërkova dhe parashtrova edhe mundësitë për të Kërkesat për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Me DEA-n diskutuam se si mundet që zyra e tyre që kanë në Athinë të mund të shtohet me një agjent plus, i cili mund të ishte i atashuar ose të ishte me më shumë fokus ose me më shumë vëmendje në operacionet e përbashkëta me policinë shqiptare në luftën kundër drogës, që mund të ishte një mundësi e një prezence të njërit prej përfaqësuesve të zyrës së DEA-s në Athinë në Tiranë.

Po ashtu diskutuam gjatë edhe me zv.drejtorin e FBI-së lidhur me mundësinë e një pranie shumë më aktive të zyrës rajonale të tyre në Sofje, në Tiranë, nga pikëpamja e asistencës por edhe bashkëorganizimit të operacioneve të përbashkëta si dhe diksutuam për një opsion të mundshëm për të atashuar një oficer, një agjent të FBI-së në mënyrë permanente pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Si iu përgjigjën ata dhe cilat janë pritshmëritë kur do të realizohet kjo?

Ministri Xhafaj: Në të dy agjencitë u mirëprit si ide dhe thjesht kërkuan kohë për ta studiuar dhe për të parë se cilat ishin mundësitë konkrete.

Tek DEA ishte më e thjeshtë nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe duhen para mundësitë financiare për ta mbashtetur këtë projekt, kurse te rasti i FBI-së ishte problemi i mungesës së burimeve njerëzore të përshtatshme dhe duhet të shohin se cilat janë mundësitë që një agjent i përhershëm i tyre të vendoset në Tiranë, ose mund të gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme; dmth, që të jetë një agjent i cili punon full time, me një kohë të plotë në Tiranë, ose me kohë të pjesshme në varësi me problematikat dhe operacionet që mund të ndërtojmë.

Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, së bashku me drejtorin e Policisë Kriminale patën diskutime në nivel operacional në të cilat unë si ministër nuk përfshihem dhe nuk dëshiroj të përfshihem, sepse nuk janë tagrat e mi, dhe nuk është në tagrin tim përfshirja në operacione konkrete, por i kërkova zyrtarëve të lartë të DEA-s dhe zyrtarëve të FBI-së që të ulen konkretisht për të parë operacionet dhe cështjet konkrete, dhe mesa jam në dijeni prej tyre, janë bërë diskutime me shumë interes, për çështje dhe operacione që ne kemi në proces me të dyja këto agjenci dhe për çështje të tjera që mund të ngremë bashkarisht për grupe kriminale që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë apo që janë në bashkëveprim jashtë vendit dhe që përfshihen në sferën e interesave të këtyre dy agjencive.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit në Shqipëri u kapën mbi gjysmë toni kokainë, sasia më e madhe që është kapur ndonjë herë. Duket se nuk është hera e parë që Shqipëria përdoret si rrugë kalimi për kokainën, madje ky rast lë të kuptosh dhe tregon se kemi të bëjmë me grupe të mirorganizuara. Por pyetja që shtrohet është, a mendoni se ka lidhje mes këtyre grupeve të organizuara, ose këtij grupi që ka bërë sjelljet dhe niveleve të larta?

Ministri Xhafaj: Së pari, duhet të them se ky ishte një operacion i zbatuar tërësisht nga agjencitë ligj zbatuese shqiptare. Për këtë mora vlerësimet më të mira nga të dy agjencitë, edhe nga FBI edhe nga drejtues të lartë të DEA-s, edhe nga drejtues të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.

E gjithë kjo, çfarë dëshmon? Kjo dëshmon pjekurinë profesionale dhe vullnetin e Policisë së Shtetit për t’u përballur me fenomene të tilla edhe me organizata të tilla të fuqishme të cilat qarkullojnë vlera të mëdha monetare, të përkthyera këto në një trafik të paligjshëm, siç është edhe rasti konkret i kokainës në portin e Durrësit.

Kjo është një çështje që është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, së bashku me Policinë e Shtetit, me drejtorinë e luftës kundër drogës dhe me kërkesën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë atashuar në mbështetje të këtij hetimi agjentë të DEA-s, të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë si dhe të disa vendeve të tjera ku ne mendojmë që ky grup kriminal ka kontaktet, ka lidhjet dhe ku ishte destinuar për t’u shpërndarë lënda narkotike.

Zëri i Amerikës: A ka shenja, a ka indicie që kjo mund të ketë lidhje me nivele të larta në Shqipëri, me zyrtarë, me politikanë, nga kanë marrë mbështetje?

Ministri Xhafaj: Mua personalisht, në cilësinë time si Ministër, nuk më rezulton, por mbetet për të parë hetimi se çfarë do të nxjerrë. Ajo që ne shpesh bëjmë gabim në Shqipëri është që flasim ne më shumë se sa ata që u takon të bëjnë detyrën e tyre dhe që në këtë rast janë Prokurorët e Krimeve të Rënda.

Unë shpresoj që ata do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje dhe kjo ishte arsyeja që në pikat e bisedimit unë e vura theksin tek nevoja për një asistencë të drejtpërdrejtë edhe në cështjen konkrete dhe sa jam unë në dijeni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka diskutuar konkretisht edhe me DEA-n edhe me FBI-në për këtë.

Zëri i Amerikës: Po ua bëj pyetjen më në përgjithësi. Jo ky rast konkretisht, por në përgjithësi, në raste të tjera që kanë të bëjnë me drogën në Shqipëri, kjo përhapje kaq e madhe e krimit të organizuar, a është e mundur, a vihen re lidhje midis kësaj bote kriminale dhe, po e quaj, shtetit?

Ministri Xhafaj: Absolutisht po. Nuk mund të mos e pranoj një gjë të tillë, sepse është e vështirë që pa mbështetjen, ose pa blerë heshtjen e zyrtarëve të shtetit është e vështirë për të kryer veprimtari të kësaj natyre dhe sidomos këtu bëhet fjalë për zyrtarë që janë në agjencitë ligj zbatuese dhe që mund ta pengojnë, apo mund t’i favorizojnë veprimtari të tilla kriminale.

Kjo është arsyeja që në vijimësi dhe në mënyrë të veçantë këtë vitin e fundit ne kemi bërë disa ndërhyrje të forta në radhët e strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit duke larguar prej tyre disa prej drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, për të cilët ne mendonim që më së paku, kishin dijeni dhe me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre kishin favorizuar veprimtarinë kriminale në kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2016.

Zëri i Amerikës: me ardhjen tuaj në detyrë ju keni zëvendësuar shumicën e drejtuesve lokalë të policisë së shtetit…

Ministri Xhafaj: Po, është e vërtetë.

Zëri i Amerikës: …Megjithatë, pak raste shikohen që të kenë filluar hetime ndaj tyre. Pse ndodh kështu?

Ministri Xhafaj: Kjo është një pyetje e drejtë, por përgjigja e saj nuk mund të jepet nga mua. Besoj se do të duhet t’i bëhet prokurorisë dhe posaçërisht Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo që dua të them unë është që nga ana e Policisë së Shtetit ka referime…

Zëri i Amerikës: Ju, a i keni kallzuar ata?

Ministri Xhafaj: Absolutisht, po. Ka referime konkrete për punonjës, për zyrtarë të Policisë së Shtetit, që sipas nesh kanë qenë të implikuar në veprimtari kriminale.

Mbetet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë hetimet e nevojshme dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në një shtet të së drejtës përgjegjësitë janë të ndara: detyra e policisë është detyra e policisë, detyra e prokurorisë i përket prokurorisë dhe detyra e gjykatës është detyrë e gjykatës. Asnjëri nga këto tre institucione nuk mund të dublojë apo të marrë përgjegjësitë e institucioni tjetër.

Zëri i Amerikës: Ju keni filluar një proces verifikimi dhe kontrolli në radhët e Policisë së Shtetit, një vetting. Unë dua të bëj një krahasim me parardhësin tuaj kur erdhi në atë detyrë para 5 vjetësh, kur ai bëri një reformim, një ndryshim të madh të strukturave të policisë dhe emrave të policisë. Megjithatë, rezultoi, dhe këtë ju e dini më mirë se kushdo tjetër, se gjendja në polici ishte tejet e rëndë, fakti që ju bëni gjithë këto ndryshime sot. Pyetja që kam për ju është: si mund të rikthehet besimi i publikut tek policia?

Ministri Xhafaj: Mesa kuptoj pyetja lidhet me vettingun në radhët e Policisë së Shtetit dhe pak më gjerë me integritetin e Policisë së Shtetit.

Unë besoj fort që një polici me integritet është faktori kyç përcaktues për të patur një marrëdhënie krejt tjetër me qytetarët dhe besueshmëri të qytetarëve tek policia e tyre.

Ndër të tjera, kjo është arsyeja që qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash që kanë të bëjnë me rritjen e integritetit të oficerëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.

Një prej tyre është edhe procesi i vettingut në polici, që është pakashumë i ngjashëm me procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilën ne e kemi shtrirë tashmë edhe te policia e shtetit.

Në drejtësinë penale ka 3 aktorë të rëndësishëm: gjykata prokuroria dhe policia. Ndërsa këtij procesi skanimi dhe vlerësimi iu nënshtruan gjykata dhe prokuroria, ishte e pakuptimtë dhe e papranueshme që njëri nga këto komponente të rëndësishme si policia të mbetej jashtë këtij procesi skanimi.

Nisur nga kjo logjikë dhe nga nevoja për të patur një polici me integritet, burra dhe gra, djem e vajza në Policinë e Shtetit që gëzojnë besueshmëri, që kanë qëndrueshmëri morale dhe aftësitë e nevojshme profesionale për të përmbushur përgjegjësitë e tyre, ne ndërmorëm një nismë të tillë siç është vettingu në radhët e Policisë së Shtetit.

Ajo që kam konstatuar sot është fakti që gjatë parashtrimit të këtyre reformave tek zyrtarët e lartë të FBI-së prej tyre mu dëshmua se ky është një proces mëse i zakonshëm që kryhet në radhët e punonjësve të FBI-së jo thjesht dhe vetëm kur ata janë në ditën e tyre të parë të punës, por është një gjë që bëhet rregullisht në çdo 5 vjet, pra një proces skanimi që ka të bëjë me figurën e atyre që hyjnë në FBI ose njerëzve që janë duke ushtruar detyrën e tyre në FBI.

Kjo do të thotë që ky është një standard që ne po duam ta aplikojmë, gjë që ne besojmë se do të ndikojë shumë në rritjen e integritetit të policisë dhe, për rrjedhojë, edhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek Policia e Shtetit.

Por unë mendoj që kjo është njëra anë e problemit. Ana tjetër është fakti që policia të jetë e besueshme duhtë parë se sa ajo adreson dhe në mënyrë proaktive trajton dhe përballet me fenomenet e krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Unë konstatoj me kënaqësi faktin që kur qytetarët shohin se policia e tyre ëhstë aktive dhe përballet me këto fenomene, ata jo vetëm kanë besim por nuk ngurrojnë që të denoncojnë pranë policisë raste apo praktika korruptive apo kriminale.

Dhe një gjë e tillë ndodhi në rastin e procesit që ne filluam në lidhje me tjetërsimin e tokave.

Policia e Shtetit nisi fillimisht një proces në territorin e bashkisë së Kavajës dhe pastaj në atë të Rrogozhinës dhe njerëzit krijuan besim dhe shpresë se policia mund dhe kishte vullnetin për tu përballur me këtë fenomen, se qeveria jepte mbështetje policisë në këtë aspekt dhe shumë njerëz u janë drejtuar zyrave të Policisë së Shtetit drejtpërdrejt kryeministrit shpesh herë apo edhe mua, me informacionet nga më të ndryshmet, që lidhen me rast konkrete të abuzimit me pronën publike.

Ky është një rast tipik i besueshmërisë që njerëzit kanë te policia apo tek qeveria kur ajo përmbush më së miri detyrat e veta.

Zëri i Amerikës: Një nga aksionet më të fundit dhe nga më të mëdhatë e olicisë së shtetit ishte ai në policinë e Lezhës ku pak a shumë u ndaluan ose u arrestuan një pjesë e drejtuesve të kësaj bashkie. Probleme me tokat, abuzime me tokat si ai në Lezhë kanë ndodhur edhe në qytete të Shqipërisë. A pritet të zgjerohet kjo edhe më tej?

Ministri Xhafaj: Po. Bazuar në disa informacione që ka vetë qeveria, bazuar edhe në disa fakte që janë bërë publike herë pas here si dhe në zbulime të vetë policisë, por edhe në informacione që kanë ardhur gjatë kësaj periudhe, struktura përkatëse përgjegjëse të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe nën drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore respektive kanë hapur disa procese të tjera që kanë të bëjnë me abuzimet me pronën publike.

Zëri i Amerikës: Ka zëra kritikë që thonë se këto goditje po bëhen në mënyrë selektive, se janë vënë në shënjestër bashki ose zyrtarë që i përkasin opozitës ose ish-zyrtarë që kanë qenë të opozitës. Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Ministri Xhafaj: Është e thjeshtë fare. Mjaft të shikosh njerëzit që janë referuar pokurorisë do të shohësh që mes tyre ka njerëz nga të tre partitë kryesore që janë sot në vend apo lidhje të afërta të të tre partive si në Kavajë, edhe në Rrogozhinë ashtu edhe në Lezhë.

Zëri i Amerikës: Nëse një qeveri do të tregojë se ka një tolerancë zero, ose që është serioze në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, a nuk do të ishte i fortë mesazhi drejtuar publikut duke filluar nga zyrtarët e saj, të cilët mund të dyshohen për afera korruptive?

Ministri Xhafaj: Nëse do të kishte raste konkrete dhe nëse qeveria e policia do të tërhiqeshin nga hetimi i tyre, kjo do të dëshmonte këtë që ju po flisni. Në çështjet konkrete kjo nuk qëndron për një arsye fare të thjeshtë: njerëzit të cilët janë investiguar, të cilët janë hetuar për këtë veprimtari kriminale janë përfaqësues apo lidhje të afërta me zyrtarëve të tre forcave politike.

Në këtë rast nuk është bërë asnjë përjashtim: askush nuk mund të më provojë mua se ka një rast që është përjashtuar nga ky proces hetimi vetëm për faktin se është lidhje apo se është pjesë e strukturave të partisë socialiste. Kjo gjë nuk ekziston, të paktën në cështjet për të cilat po flasim.

Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur ekzistencën e 40 grupeve të krimit të organizuar dhe rrjete kriminale. Nga të dhënat që keni ju, a kanë investuar këto grupe edhe në biznese të ligjshme, si një formë për pastrimin e parave, nëse po, cfarë biznesesh?

Ministri Xhafaj: Besoj që po. Kemi përfunduar identifikimin e këtyre grupve kriminale, profilet kriminale të drejtuesve të këtyre grupeve kriminale dhe njëkohësisht edhe procesin e skanimit dhe identifikimit të aseteve të tyre që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale.

Shohim që një pjesë e tyre i kanë investuar të ardhurat e tyre të krijuara nga veprimtaria kriminale në një sërë aktivitetesh të paligjshme siç janë investime në fushën e turizmit, në krijimin e shoqërive të ndryshme tregtare me objekte që i shërbejnë për të rritur fitime dhe për të pastruar paratë dhe këto janë pjesë e një sërë procesesh që ne kemi hapur në këtë fushë.

Kjo ishte edhe një nga temat, e cila diskutova gjerësisht edhe me zyrtarët e lartë të FBI-së dhe DEA-s për shkak se pavarësisht vullnetit të mirë dhe dëshirës së mirë që ne kemi, është shumë e rëndësishme që të sigurojmë edhe mbështetjen e nevojshme për të ndjekur rrugën e parasë për të patur hetime shumë më të suksesshme, lidhur me pastrimin e parave apo pastrimin e produkteve që rrjedhin nga një veprimtari kriminale.

Në këtë kontekst është shumë e nevojshme shkëmbimi i informacioneve me agjenci të tilla ligjzbatuese edhe me agjenci të vendeve të tjera.

Kemi rënë dakord që FBI dhe DEA secila në fushën e vet të japin më shumë mbështetje në këtë aspekt, duke ndihmuar në hetimet pasurore për këto grupe kriminale.

Zëri i Amerikës: Një nga emrat më të përfolur që ka dalë si rezultat i DEA-s ka qenë rasti i Klement Balilit. Çpo bëhet me rastin e tij?

Ministri Xhafaj: Jemi duke u marrë seriozisht edhe ne edhe vetë DEA, por edhe disa agjenci homologe të vendeve europiane.

Së pari kemi hapur një proces hetimor lidhur me pasurinë e këtij grupi kriminal dhe nga ana tjetër jemi duke u marrë fort me kërkime për të identifikuar dhe zbuluar vendndodhjen e tij dhe për ta vënë përpara drejësisë.

Zëri i Amerikës: A është brenda në Shqipëri apo jashtë Shqipërie?

Ministri Xhafaj: Kjo është një çështje që nuk më takon ta them këtu në studio. U takon agjencive të policisë kriminale dhe agjentëve të DEA-s të cilët gjithashtu po punojnë fort per këtë gjë.

Zëri i Amerikës: Nëse i kthehem edhe një herë sasisë së madhe të kokainës që u kap në Durrës, janë arrestuar shoferi, administratori dhe është shpallur në kërkim pronari i firmës. Për një sasi aq të madhe këta duket se janë fundi ndoshta i këtij rrjeti trafiku. A ka nxjerrë hetimet dicka më të madhe se kaq?

Ministri Xhafaj: Po. Për aq sa më lejohet mua të marr informacion, për aq sa më lejohet mua të di lidhur me informacione të kësaj natyre, jam në dijeni se hetimet po përparojnë, dhe unë besoj se shumë shpejt prokuroria e krimeve të rënda do të arrijë të identifikojë se cilët kanë qenë të përfshirë në këë veprimtari kriminale.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit: kur flitet për krimin e organizuar, për Shqipërinë, për faktin që është një nga përparësitë kryesore dhe fakti që sektori i drejtësisë ka qenë kaq i kapur nga bota e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, që shkojnë paralel me njëra tjetrën, natyrshëm lind pyetja: a është shteti shqiptar i kapur nga krimi i organizuar sot?

Ministri Xhafaj: Jo. Besoj se kjo nuk do të ishte përgjigja e drejtë. Por që ka struktura të shtetit në nivele të ndryshme, që janë nën influencën apo nën peshën e ndikimit të botës kriminale, këtë nuk mund ta mohoj.

Fakti që shpesh herë agjencitë tona ligjzbatuese nuk kanë qenë në pozita reaguese për të mos pretenduar se duhet të ishin në pozita proaktive, apo që shpesh herë gjyqtarë e prokurorë të caktuar janë bërë mburojë apo mbështetje e grupeve të caktuara kriminale është një dëshmi e faktit që ka patur dhe ka një lidhje ndërmjet strukturave të caktuara, individëve të caktuar dhe botës kriminale.

Është kjo arsyeja që qeveria e ka konsideruar luftën kundër krimit të organizuar një prioritet thelbësor të saj, dhe në nëntor qeveria miratoi një plan veprimi për luftën kundër veprimtarisë kriminale dhe ne kemi miratuar një plan operacional të quajtur “Foca e ligjit”, i cili ka marrë përsipër jo vetëm t’i godasë këto grupe kriminale por edhe ti dobësojë ato, duke i prerë burimet e tyre ekonomike, dhe është paraparë që të jetë një operacion i cili përmbledh energjitë dhe kontributet jo vetëm të policisë së shtetit por edhe të agjencive ligjzbatuese në vend.

Janë ngritur Task Forcat Speciale në nivel qendror dhe ato rajonal, në funksion të cilave janë vendosur prokurorët e dedikuar për këtë operacion, si dhe agjenci të tjera, si Shërbimi Sekret, hetimi doganor, pastrimi i parave etj., të cilat janë të përfshira në këtë proces.

Ne tani kemi mundësinë që secila agjenci të mos punojë vetëm ngastrën e vet, por me burimet njerëzore dhe teknike që nuk i kemi në nivelin e duhur, duhet të bashkërenojmë përpjekjet për të qenë sa më eficent përballë disa strukutrave që janë shumë më të organizuara shpesh herë edhe se vetë shteti.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit. Në cilin moment ju mund ta quani luftën kundër krimit të organizuar të fituar?

Ministri Xhafaj: Përgjigja është e vështirë sepse ky është një proces, që zhvillohet për vite e vite jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete me demokraci dhe shtete të së drejtës të konsoliduar si SHBA, por unë nga pikëpamja e asaj që do ta konsideroja realisht sukses është fakti kur të shoh që realisht agjencitë përgjegjëse për këtë luftë së pari të kenë në radhët e tyre njerëz profesionistë me integritet dhe të vendosur për t’u përballur me këto fenomene.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafaj, ju faleminderit!