Fjala e ministrit të Brendshëm Xhafaj në seancën plenare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/03/2018

Fjala e ministrit të Brendshëm Xhafaj në seancën plenare

Fjala e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancën plenare, 5 Mars 

 

Fjala e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancën plenare – 5 Mars:

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar qytetarë,

Javën e kaluar, Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, finalizuan një operacion të paprecedentë për nga suksesi, në kuadrin e luftës ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës.

Interesi i publikut dhe përgjegjësia ime, si Ministër, më jep të drejtën dhe njëkohësisht më detyron që të bëjë me dije disa fakte, të dhëna, në lidhje me operacionin përkatës të 27 shkurtit 2018, si dhe të jap disa vlerësime rreth këtij operacioni për fat të keq, shumë të debatuar negativisht edhe sot në këtë sallë.

Rreth 100 punonjës policie u angazhuan në këtë operacion, gjatë të cilit u konfiskuan rreth 613 kg kokainë. Sasi kjo rekord për vendin tonë, por gjithashtu sinjifikative edhe për vende me arritje të konsoliduara në luftën kundër këtij trafiku.

Konfidencialiteti i treguar nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion, marrë në konsideratë edhe numrin e lartë të të përfshirëve në të, si dhe kohën relativisht të gjatë, të kryerjes së tij, ishte konfirmimi më i mirë i ndershmërisë dhe i integritetit në radhë të parë të atyre punonjësve të Policisë dhe Hetimit Doganor të angazhuar në këtë operacion dhe natyrisht edhe tregues i profesionalizmit të tyre.

Kjo vlen edhe për ata punonjës të agjencive të tjera ligj zbatuese të vendit, të cilat u përfshinë në këtë operacion.

Nga ana tjetër dua të nënvizoj një fakt të rëndësishëm. Si rrallë ndonjëherë tjetër, ose ndoshta si asnjëherë më parë, në një ngjarje kriminale të përmasave të tilla të trafikut të drogës, veprimet e Policisë së Shtetit ishin jo vetëm të mirë organizuara dhe efiçente në kuptim të rezultatit, por ishin edhe në respektim të plotë të procedurës penale.

Siç u bë e qartë, përmes komunikatës zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas konstatimit të pranisë së dyshuar të drogës, në proces u përfshi Prokuroria e Krimeve të Rënda për të bërë evidentimin e provave përkatëse, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale të lidhura me të. Tashmë është ky organ, i cili ka atributin për të kryer të gjitha hetimet e duhura për zbardhjen tërësisht të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Dhe është tashmë në kompetencë të këtij organi për të vlerësuar dhënien, ose jo të informacioneve të mëtejshme në lidhje me këtë çështje.

Detyra e Policisë, për të evidentuar dhe ndaluar veprimtarinë kriminale, në rastin konkret trafikimin e lëndëve narkotike, konsiderohet e përmbushur me një rezultat mëse të lavdërueshëm.

Ndihem krenar të pohoj me përgjegjësi të plotë se një operacion i tillë, suksesi i të cilit provon qartë gadishmërinë dhe efiçencën profesionale të organeve ligj zbatuese shqiptare, është një produkt, i koordinimit të shkëlqyer mes institucioneve tona ligj zbatuese. Ishte meritë ekskluzive e tyre identifikimi dhe zbulimi i kësaj sasie të jashtëzakonshme kokaine pa pasur asnjë lloj informacioni paraprak të jashtëm. E ritheksoj, pa pasur asnjë lloj informacioni paraprak të jashtëm, por bazuar vetëm në informacionet, analizën dhe kontrollin e kryer prej tyre.

Ashtu sikundër kam vlerësuar qysh në momentet e para dhe në vazhdim, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për identifikimin dhe zbulimin e autorëve të këtij trafiku, të cilët shpresoj se shumë shpejt do të jenë përpara përgjegjësisë së ligjit, falë edhe këtij bashkëpunimi.

Shpresoj që në ditët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda, përgjegjëse për këtë hetim t’ju japë zgjidhje gjithë pyetjeve të ngritura këto ditë nga kurreshtarët e kronikave të tilla, si dhe nga lloj-lloj abuzuesish politikë dhe mediatikë dhe të vendosi para përgjegjësisë të gjithë ata që qëndrojnë prapa kësaj veprimtarie kriminale.

Ju të tjerët, spekulantë të fjalës së lirë keni vetëm një detyrë të lini të qetë organin e Prokurorisë dhe Policinë e Shtetit të bëjnë detyrën konform Kushtetutës dhe ligjit.

Gjithsesi një gjë është e sigurt, sasia e substancës së ndaluar dhe pastaj të konfiskuar, është një tregues i qartë vullnetit tonë, të shprehur qartë para disa muajsh kur ndërmorëm ngritjen e Task Forcës Speciale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar.

Në cilësinë dhe përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm, duke dashur të heq çdo fije dyshimi në këtë drejtim, më takon të sqaroj se zotësia dhe maturia e treguar nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit dhe strukturat e Hetimit Doganor, ishte arsyeja ekskluzive përse një përpjekje e tillë trafikimi kriminal, me 613 kg kokainë, mbeti veçse një tentativë.

Rezultatet e kohëve të fundit dhe vazhdimisht në rritje (për këtë mund të shihni shifrat zyrtare) janë dëshmia më e mirë e faktit që vullneti i shprehur po konkretizohet përmes një pune të kujdesshme dhe të përkushtuar organizative dhe operacionale.

Çdo debat i mëtejshëm, çdo orvatje për ta minimizuar – apo më keq, anashkaluar apo baltosur – punën e organeve shqiptare është, fund e krye, i pa vlerë. Më tej, për hir të së vërtetës, çdo përpjekje e tillë është gjithashtu dashakeqe, duke qenë se ajo synon të dëmtojë dhe vetë motivimin e jashtëzakonshëm profesional në radhët e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligj zbatuese shqiptare.

Të nderuar kolegë deputetë,

Si Ministër përgjegjës për rendin, dua ta shfrytëzoj këtë fjalë përpara jush për të falënderuar publikisht Policinë e Shtetit jo vetëm për suksesin e madh të arritur në javën e shkuar, por edhe për rezultatet e tjera që ajo ka arritur prej shtatorit 2017 e në vazhdim, gjatë kësaj periudhe që unë jam në cilësinë e Ministrit të Brendshëm.

Janë disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në këtë periudhë si dy vrasjet e kohëve të fundit në Tiranë, njëra prej të cilave nga vrasës me pagesë i ardhur jashtë Shqipërisë, atentati me eksploziv në Shkodër, vrasja e dyfishtë në Vlorë, ajo më e fundit në Fier, në të cilën për fat të keq humbi jetën një qytetar kurajoz i cili reagoi ndaj grabitësve. Por ajo çfarë vlen të evidentohet është fakti se për të gjitha këto ngjarje të rënda jo vetëm që autorët janë zbuluar, por ata edhe janë ndaluar dhe arrestuar, në kohë rekord.

Unë mendoj se jo vetëm nuk është e tepërt, por të paktën për ne të angazhuarit në politikë është detyrë me interes publik të lartë që ta njohim e ta pranojmë suksesin e Policisë së Shtetit sa herë që ai është prezent, si dhe ta falënderojmë atë për rezultatet shumë pozitive të arritura edhe pse në fund të fundit kjo është detyrë e saj.

Dhe kur ne e bëjmë këtë, ne e inkurajojmë atë të eci përpara në rrugën e saj të vështirë dhe me sakrifica personale e familjare, të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët.

Në kushtet kur ne këtyre punonjësve nuk mundet t’ju japim më shumë ekonomikisht dhe financiarisht jua kemi borxh të paktën falënderimin dhe mirënjohjen.

Nxjerrja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë bimë narkotike në vitin 2017 përbën një sukses sinjifikativ të Policisë së Shtetit. Natyrisht sasitë e fshehura të kanabisit përbejnë objektiv parësor të Policisë së Shtetit për t’u zbuluar dhe për tu asgjësuar tani e në vazhdim. Policia është duke punuar fortë në këtë drejtim.

Kemi treguar që dimë të fitojmë, kemi treguar se nxjerrim mësime nga dobësitë e shfaqura dhe se këto dobësi i vëmë në shërbim të një kauze të drejtë në shërbim të qytetarëve.

Natyrisht jemi mjaftueshëm realistë për të gjykuar pozitën delikate ku ndodhet vendi dhe rajoni ynë, si pjesë e një konteksti global ku komunikimi i sofistikuar lidh jo vetëm njerëzit, por dhe grupet e jashtëligjshme kriminale – duam apo nuk duam ne!

Fjalët e Prokurorit të Antimafias italiane, në përfundim të vizitës së tij, e akoma më tepër entuziazmi publik që zyra e tij shprehu për meritën ekskluzive të autoriteteve shqiptare në ndaljen e ngarkesës në fjalë, janë të qarta si drita e diellit. Çdo shtesë do të ishte krejt e kotë edhe në këtë aspekt.

Ndaj, gjej rastin të falënderoj edhe njëherë partnerët për mbështetjen, bashkëpunimin dhe inkurajimin e vazhdueshëm ndaj Policisë së Shtetit. Është detyrim dhe njëkohësisht garanci suksesi për ne, vazhdimi i koordinimit të frytshëm me ta, si në rastin e fundit, kur shkëmbimi i informacionit me organet partnere, në interes dhe të hetimit të nisur, u krye fill pas konstatimit dhe po vazhdon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.

Policia e Shteti ka ri-gjetur fort besimin e partnerëve në veprimtarinë e saj. Si rezultat i këtij besimi deklaroj se aktualisht Policia është e përfshirë në disa operacione shumë të rëndësishme antikriminale me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si FBI, dhe DEA me Antimafian italiane dhe Guardia di Finanza-n, po ashtu edhe me EUROPOL-in si dhe disa Agjenci homologe të vendeve anëtare të BE-së, rezultate e të cilave shpresoj se shumë shpejt do të jenë publike.

Ishin inkurajuese mesazhet e qarta dhe mbështetëse të Bashkimit Europian, SHBA, EUROPOL dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm. E po ashtu artikuj realistë të mediave në Bruksel, për Shqipërinë e për përpjekjet për të hapur me meritë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Të nderuar qytetarë,

Natyrisht që Policia e Shtetit ka akoma shumë për të bërë për t’u ngritur në nivelin më të lartë të organizatave homologe europiane.

Procesi i Vetting-ut shpresoj se do të sjellë një standard profesionalizmi dhe pastërtie të figurës më të lartë për Policinë e Shtetit. Por është qartësisht e dukshme edhe për më skeptikët, jo për keqdashësit, që Policia e Shtetit jo vetëm po arrin rezultate të rëndësishme në luftën e saj kundër krimit, dhe krimit të organizuar në veçanti, por nga njëra anë ajo ka rritur besimin tek qytetarët dhe nga ana tjetër po dekurajon veprimtarinë kriminale të elementëve të krimit të organizuar.

Në këto zhvillime ajo çfarë sinqerisht më habit është, për fat të keq, reagimi i një pjese të kolegëve të opozitës pas çdo suksesi të policisë. Por, këtë herën e fundit, jam edhe më shumë i çuditur se si këta, le të mos i kishin kursyer, sikurse nuk i kursyen hamendësimet që ngritën se: si erdhi, kush e solli, me çfarë garancish, kush e ka, pse e ka, e të tjera si këto që do të jenë pjesë e hetimit besoj, nuk denjuan që edhe formalisht, apo edhe për pragmatizëm, të vlerësonin punën e Policisë për kapjen e një sasie të tillë kokaine ashtu siç ndodh rëndom jo vetëm te ne por dhe në të gjithë vendet europiane që përballen me dukuri të tilla kriminale.

Ka një javë, si edhe sot këtu, që ka një qëllim dhe vetëm një qëllim, se si të nxijnë Policinë e Shtetit në këtë operacion, se si të hedhim baltë mbi të, athua se nuk bëhet fjalë për policinë e vendit të tyre.

Dhe kjo kur të gjithë partnerët dhe miqtë tanë jo vetëm nuk i kursyen lavdërimet për këtë rezultat spektakolar të Policisë së Shtetit, por u kujdesën që ta theksonin fort faktin se e gjitha ishte vepër e agjencive lokale ligj zbatuese. Pak e vështirë se si ta përcaktosh këtë lloj qëndrimi opozitar, e cila akuzon pikërisht atë që godet kriminalitetin si të lidhur me të!

Barrikada e luftës me krimin nuk mund të ketë dy llogore. Ka një dhe vetëm një. Kush del nga kjo llogore, ua them qartë, nuk është se e dëmton llogoren e luftës. I jep oksigjen llogores tjetër. Vetëm përpiqet t’i zgjatë jetën llogores asaj. Ndaj në këtë kontekst dua të them se kjo lloj politike dhe ky lloj reagimi publik është i papranueshëm nga ana njerëzore e publike, po është më së shumti thellësisht antisocial e antikombëtar.

Antisocial, sepse synon të nxisë mllefin dhe urrejtjen e njeriut te zakonshëm ndaj shtetit e ndaj organizatës që është simboli i shtetit ne rrugë, Policisë së Shtetit! Dihet çfarë dhe se ku të çon kjo rrjedhë. Ndër të tjera ajo nxit sjelljet antisociale e antiligjore në mjediset publike. Është edhe thellësisht antikombëtare, sepse është e qartë fare se ky kriminalizim permanent nuk mbetet brenda mureve të Parlamentit, apo kufijve të Shqipërisë. Ai shkon përtej, në zyrat e institucionet që habiten nga e gjithë kjo baltosje, si në asnjë vend tjetër, ku njëra palë shan dhe denigron tjetrën për të nxjerrë përfitime për llogari krejt të mjera personale apo politike.

Sulmohet Garda e Republikës, pa asnjë arsye dhe pa asnjë lidhje. Sulmohet, po ashtu, një oficer policie në detyrë, prind e qytetar i këtij vendi. Sulmohet e gjithë policia, edhe pse kap një sasi rekord kokaine!!! Këto janë të turpshme në gjykimin tim. Çdo qytetar që e do këtë vend, duhet te distancohet nga ky qëndrim, duke e refuzuar këtë lojë të ulët me njerëzit, me Policinë e Shtetit, me vendin, me të ardhmen. Përtej të gjitha spekulimeve sureale dhe problematikave reale që ka pasur Policia e Shtetit në mandatin tonë të parë, dy gjëra mund të thuhen me siguri.

E para, as që bëhet fjalë që në katër vjet Policia ndryshoi shumë, edhe për mirë nga ajo me të cilën filloi ky mandat. Dhe e dyta, kjo faze e re e reformës në Policinë e Shtetit, ku përmes Vetting-ut po shkohet deri tek rrënjët për të ndarë pjesët e shëndosha nga pjesa e krimbur, është e mundur sot pikërisht sepse policia nuk është hani pa porta që ishte para katër vjetësh ku s’e merrte vesh i pari të dytin, po një organizate në reformim e sipër që ne jemi të bindur se brenda këtij mandati do ta radhisim mes policive më të mira të BE-së.

Të nderuar kolegë deputetë,

Nga përvoja e krijuar për gati më shumë se 2 dekada në jetën aktive në politikë dhe në këtë sallë, kam krijuar bindjen e thellë se nëse energjitë tona, sipas pozicionit që kemi, nëse do të orientoheshin në këtë betejë dhe qëndrim të përbashkët kundër krimit në tërësi, rezultatet do të vinin më shpejt.

Nuk dua t’ju bëj apelin e zakonshëm. Është në zgjedhjen tuaj. Shqipëria është e jona, dhe është e përbashkët. Fëmijët tanë rriten këtu. Për këtë mazhorancë, lufta kundër krimit të organizuar mbetet kusht i rëndësishëm në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Zgjidhja e vetme është ta fitojmë këtë betejë. Jo për vete, por si një detyrim ndaj atyre që na kanë dhënë votën për të bërë këtë. Ua kemi si detyrim. BE-ja është destinacioni ynë. Nuk di nëse është i tillë, për të gjithë në këtë sallë! Do të dëshiroja shumë të ishte.

Ju faleminderit!