“Bashkë me opozitën të vendosim modelin për sistemin e votës së emigrantëve” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/01/2018

“Bashkë me opozitën të vendosim modelin për sistemin e votës së emigrantëve”

Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”. Tryeza u organizua nga Ministri i Shtetit për Diasporën, nën kujdesin e Kuvendit dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, tha se çështja e votimit të shtetasve jashtë vendit është një çështje e rëndësishme dhe komplekse, veçanërisht duke pasur parasysh se rreth 1/3 e shtetasve shqiptarë banojnë jashtë vendit, një përqindje e konsiderueshme që kontribuon gjithashtu edhe në mirëqenien dhe ekonominë e vendit. “Gëzohem që kemi këtu një përpjekje për maksimalizimin e pjesëmarrjes së shtetasve në zgjedhjet shqiptare. Shumë vende evropiane njohin të drejtën e votimit për shtetasit e tyre jashtë vendit, mirëpo nuk ekzistojnë as nga OSBE/ODIHR-i dhe as nga standarde të tjera ndërkombëtare standarde fikse që kontrollojnë votimin jashtë vendit. Vendimi për të pranuar mundësinë e votimit të shtetasve jashtë vendit varet vetëm nga secili shtet,” tha Wilton. 

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi, u shpreh se Kuvendi ka miratuar një ligj për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë vendit dhe se  kjo tryezë është pjesë e konsultimit dhe synon të vijë në ndihmë komisionit të reformës zgjedhore, por jo vetëm.

“Komisioni i reformës zgjedhore dhe komisionet e përhershëm parlamentare  në fushën e veprimtarisë që mbulojnë kanë çështje që lidhen me tematikën që diskutojmë sot, janë të hapur për mendime dhe sugjerime  dhe bashkëpunim me  përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, ekspertë vendas dhe ndërkombëtar për të pasur  jo vetëm një ligj zgjedhor me të mirë që mundëson ushtrimin e së drejtës së votës nga shqiptarët edhe jashtë vendit, por edhe për të krijuar gjithë lehtësitë e nevojshme në këtë drejtim nga institucionet përgjegjëse”, tha znj. Hysi.

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko theksoi se vota e shtetasve të Shqipërisë jashtë vendit është një diskutim, i cili ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Ai përbën një risi të diskutimeve politike në vend dhe po ashtu është një reformë elektorale e cila kërkon një diskutim të hapur në publik. Vota e shtetasve jashtë vendit ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komuniteteve shqiptare në vende të ndryshme ku ata janë vendosur.

Kreu i Grupit Parlament të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Partia Socialiste ishte e para forcë që hartoi dhe propozoi një platformë konkrete ku emigrantët konsiderohen “aksionerë” të vendimmarrjes politike, platformën për votën e shqiptarëve jashtë kufijve. “Është folur shumë në të kaluarën për të drejtat e emigrantëve, nëpër fushata që veç retorikës nuk sollën asnjë nismë konkrete. Qasja jonë me emigrantët dhe diasporën është krejt ndryshe. Krijimi i një agjencie të re për diasporën dhe migracionin është hapi i parë në artikulimin e nevojave të diasporës në tërësi dhe adresimin e çështjeve specifike. E drejta e votimit nuk duhet të kufizohet tek trupi diplomatik shqiptar i akredituar në vende të ndryshme apo tek zyrtarët e shtetit që ndodhen jashtë territorit shqiptar ditën e votimeve”, nënvizoi Balla.

Ministri Fatmir Xhafaj u shpreh se një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, është krijimi i një sistemi funksional adresash, dhe se pjesë integrale mjaft e rëndësishme për identifikimin e të gjithë shtetasve shqiptarë është edhe regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë territorit të RSH. “Nëse vërtet të gjitha forcat politike dëshirojnë tu mundësojnë  realisht votuesve në emigracion, ushtrimin e të drejtës së votës, është momenti që të vendosim për sistemin që e mundëson ushtrimin e kësaj të drejte”, tha Xhafaj.

Fjala e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj: 

E nderuar zonja Nënkryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë Ministra dhe deputetë,

I nderuar Zoti Wilton,

Të nderuar të pranishëm,

Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në një diskutim të tillë, për një çështje, vërtet të rëndësishme, në raport me të drejtat themelore të shtetasve.

Eksperienca ime e viteve të shkuara si deputet i angazhuar me reformën zgjedhore dhe sot ushtrimi nga ana ime i funksionit të Ministrit të Brendshëm, më nxit të them se është momenti jo vetëm të diskutojmë, por sa më shpejtë të jetë mundur të finalizojmë procesin e reformës së re zgjedhore.

Dhe në këtë kuadër më shumë akoma të vendosim mbi sistemin, i cili mundëson votimin e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote dhe që janë me banim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ne jemi sot përballë faktit që pothuajse 1/3 e shteteve shqiptarë me të drejtë vote, nuk e ushtrojnë dot këtë të drejtë.

Arsyeja? Shumë e thjeshtë, të ushtrosh të drejtën e votës, sipas legjislacionit tonë aktual, duhet të paraqitesh fizikisht në qendrën e votimit, në të cilën shtetasi me të drejtë votë është regjistruar.

T’ju japësh shtetasve mundësinë për të votuar, pavarësisht se ku jetojnë, përveç se ju mundëson atyre pjesëmarrjen në qeverisjen e vendit të tyre, ju ofron atyre një lidhje direkte shpirtërore dhe besimi me vendin ku kanë lindur.

Nga ana tjetër gjithnjë e më tepër, edhe vetë partitë politike në Shqipëri, gjatë zhvillimit të fushatave elektorale, por jo vetëm, po ju drejtohen edhe shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë prej vitesh në një vend tjetër. Mjaft të përmend këtu, shtete të tilla si: Italia, Greqia, Gjermania apo edhe Anglia, ku përqendrimi i shtetasve shqiptarë është më i madh, si vende ku partitë politike kanë tashmë organizimet e tyre partiake. Dhe kjo besoj se është një gjë pozitive.

Por ftesa që partitë ju bëjnë mbështetësve të tyre me banim jashtë vendit për të votuar për ato, është në kontradiktë me vullnetin e tyre politik, me mundësitë reale të ushtrimit të së drejtës së votës nga këta shtetas. Sikurse e dimë të drejtën e tyre të votës këta shtetas mund ta ushtrojnë vetëm nëse paraqiten në një qendër votimi.

Nëse vërtetë të gjitha forcat politike dëshirojnë t’u mundësojnë realisht votuesve në emigracion, ushtrimin e të drejtës së votës, është momenti që të vendosim për sistemin që e mundëson këtë ushtrim të drejte.

Ndaj dhe gjetja dhe aplikimi i një sistemi që mundëson votimin e emigrantëve, pa qenë të detyruar të paraqiten në një qendër votimi, është një sfidë shumë e vështirë në kushtet e kësaj klime politike të tensionuar artificialisht.

Besoj se kontributi i ekspertëve të paangazhuar, si dhe i OSBE, apo edhe i organizatave të tjera ndërkombëtare do të na ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje që ofron besim për të gjithë. Modelet në Europë dhe me gjerë nuk mungojnë në këtë rast.

Si ministër i Ministrisë nën përgjegjësinë e të cilës është regjistri i Gjendjes Civile të shtetasve, si dhe në një pjesë të vetë edhe procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve, dua të sjellë në vëmendje që aspekti parësor i sistemit të votimit të emigrantëve është identifikimi i vendndodhjes së tyre.

Kjo vlen jo vetëm në rastin kur emigrantët do ta ushtrojnë të drejtën e votës nëpërmjet një flete votimi të dërguar me postë atyre dhe të kthyer po me postë prej tyre, por edhe në rastin e një votimi elektronik të distancë nga ata.

Por gjithashtu krahas identifikimit të saktë të emigrantëve dhe të vendndodhjes së tyre është shumë e rëndësishme, është themelore do të thosha, që sistemi i votimit për ta duhet të sigurojë gjithashtu tre elemente bazik:

  • fshehtësinë votës;
  • transparencë të procesit të numërimit të votës dhe të nxjerrjes së rezultatit;
  • integritet të procesit të votimit.

Nga ana tjetër ne duhet të vendosim dhe sa më shpejtë t’u japim përgjigje në vlerësimin tim disa pyetjeve të rëndësishme si:

– A do t’u sigurohet e drejta e votimit me çdo mënyrë emigrantëve për të gjitha llojet e zgjedhjeve, përfshi Kuvend, qeverisje vendore, referendum lokale, kombëtare, etj?

– Në varësi të modelit të votimit të emigrantëve që duam të zgjedhim, a do t’ju kërkohet emigrantëve që paraprakisht të regjistrohen si votues me qëllim që ata të përfshihen në listën e zgjedhësve, apo automatikisht ata do të jenë në listën e zgjedhësve sikurse është sot?

Këto, por edhe shumë çështje të tjera teknike kërkojnë një adresim të shpejtë dhe të përshtatshëm.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me votimin e emigrantëve, do të duan rregullime të hollësishme ligjore për përcaktim procedurash, afatesh, organesh përgjegjëse, etj.

Sikurse jeni në dijeni, një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare në këtë mandat, është krijimi i një sistemi funksional adresash, për të përcaktuar saktësisht “Ku banon, kush?”

Pjesë integrale mjaft e rëndësishme për identifikimin e të gjithë shtetasve shqiptarë është edhe regjistrimi i shtetasve, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në funksion të këtij prioriteti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 14/2016, datë  18.2.2016, “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë  territorit  të Republikës së Shqipërisë”. Sipas dispozitave të këtij ligji, identifikimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet nëpërmjet vetë deklarimit on-line, ku barrën e verifikimit të adresës së vetë deklaruar e ka marrë përsipër Qeveria shqiptare, ndërsa vetë shtetasi ka për detyrë vetëm të plotësojë deklaratën on-line.

Është shumë e rëndësishme në vlerësimin tim që opozita të kontribuojë së bashku me qeverinë edhe për këtë çështje.

Nëse ditët kalojnë pa arritur ndonjë rezultat konkret në këtë aspekt, do të jetë gjithnjë edhe më vështirë, siç ka ndodhur jo rrallë në historinë e përpjekjeve për një reformë të arrirë zgjedhore, për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët dhe realisht të mundshme për t’u implementuar.

Sot teknologjia e informacionit, apo edhe sistemet e transmetimit dhe të dërgimit fizik të sendeve janë tërësisht eficente dhe sigurojnë garanci të plota.

Bashkërisht me opozitën ne duhet që sa më shpejtë të vendosim mbi modelin që duam të zgjedhim për sistemin e votimit të emigrantëve.

Qeveria, Kryeministri Rama personalisht ka garantuar se ka gjithë vullnetin që të punojë për të gjetur një zgjidhje e cila është funksionale, dhe garanton integritetin e procesit të votimit të emigrantëve.

Në përfundim, duke falënderuar edhe njëherë organizatorët për këtë nismë, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të ndërmarrë gjitha hapat e nevojshëm, në funksion të garantimit të një procesi të rregullt, transparent, të besueshëm dhe sipas standardeve më të mira në këtë fushë.

Ju faleminderit!