Ministri Xhafaj prezanton p/buxhetin 2018 në Kuvend - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/11/2017

Ministri Xhafaj prezanton p/buxhetin 2018 në Kuvend

16 nëntor 2017, Tiranë – Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2018 me 75 vota pro dhe 47 vota kundër, si edhe 6 projektligjet e paketës fiskale. Fjala e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancën e sotme plenare, gjatë diskutimit në Kuvend mbi projekt/buxhetin 2018:

E  nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Dëshiroj, që në krye të herës, të theksoj se buxheti i propozuar për Ministrinë e Brendshme është ngushtësisht i lidhur me jetësimin e misionit të saj madhor, prioriteteve të bëra tashmë publike, qëllimeve dhe objektivave që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë marrë përsipër për vitin në vijim.

Nga ana tjetër ai reflekton edhe një qasje të re të MB ndaj rendit dhe sigurisë në vend. E thënë ndryshe – pavarësisht se nuk mund të shmangim shifrat pasi ato janë një tregues i rëndësishëm – hartimin e këtij buxheti nuk e kemi parë thjesht si çështje numrash por si çështje prioritetesh.

Buxheti i ri është 8,4% më i lartë krahasuar me 2017. Vetëm në zërin e investimeve ky buxhet shënon një rritje prej 70 %, krahasuar me këtë vit buxhetor, që do të përdoren  kryesisht në mbështetje të prioriteteve kryesore si:

· Lufta kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike: në këtë kuadër do të investohet për pajisje speciale, për përmirësimin e teknologjisë në fushën e hetimit për Policinë Kriminale dhe atë Shkencore, apo modernizimin e sistemeve (47%);

· Forcimi i institucioneve, vlerësimi i integritetit, profesionalizmit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe performancës së tyre (31%);

· Rritja e standardeve të shërbimit ndaj qytetarit, me fokus lehtësimin e procedurave, shkurtimin e kohës së ofrimit të shërbimeve, modernizimin e infrastrukturës për këto shërbime, përmirësimin e ambienteve të punës (22%), pa lënë mënjanë prioritete të tjera të rëndësishme për Policinë e Shtetit.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se agjenci dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, vende anëtare të BE dhe SHBA, kanë ofruar tashmë mbështetjen e tyre ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke bërë edhe ato alternimet e mundshme – aq sa ua lejojnë edhe praktikat e tyre standarde – në funksion të prioriteteve tona. Nga ana e tyre, në takime dypalëshe apo edhe të tjera të përbashkëta, është dëshmuar një qasje shumë mirëkuptuese ndaj kërkesave tona, duke ofruar mbështetjen e tyre në dy aspekte kryesore: (i) asistencë teknike dhe (ii) investime logjistike.

Gjej rastin t’i falënderoj secilin prej kontributorëve të mësipërm, duke e konsideruar këtë si shprehje e besimit të tyre të plotë ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Është detyrim përveç të tjerash edhe moral që, sikundër paratë e taksapaguesve shqiptarë, edhe paratë e taksapaguesve evropianë apo amerikanë të shkojnë atje ku duhet, duke prodhuar më shumë siguri dhe rend për qytetarët e këtij vendi. Ky është, në fund të fundit, angazhimi ynë madhor.

Në tërësi, konfirmoj se buxheti i planifikuar, më i madhi i akorduar nga qeveria shqiptare në dhjetë vitet e fundit siç edhe e kam shprehur ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, mundëson realizimin e prioriteteve që kemi marrë përsipër. Mbështetja e përshtatshme buxhetore që i jepet Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit i obligon këto struktura që të përmbushin në standardin e duhur përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Të nderuar deputetë,

Që në ditët e para kur kam marrë detyrën si Ministër i Brendshëm kam deklaruar se do të bënim gjithçka të mundur në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Të dhënat e raportit të fundit të misionit të monitorimit të Guardia di Finanza dëshmojnë për një rënie drastike të kultivimit të kanabisit në krahasim me çdo vit tjetër nga viti 1995.

Është ky një konstatim inkurajues i partnerëve tanë për punën e Policisë së Shtetit, por edhe i vullnetit dhe seriozitetit të qeverisë për ta luftuar këtë fenomen të paligjshëm dhe të rrezikshëm.

Ne do të vazhdojmë me vendosmëri ta godasim këtë fenomen, për ta bërë sot dhe në kohët që do vijnë situatën ZERO në kultivimin e narkotikëve. Operacionet e ditëve të fundit të Policisë, në Tiranë, Durrës, Shkodër e gjetkë, janë tregues i qartë për këtë gjë.

Implikimi i punonjësve të policisë në trafikun e kanabisit, siç qe rasti i Shkodrës, është një motiv më tepër në rrugën tonë të pastrimit të radhëve të policisë, përmes procesit të Vetting-ut. Policia e Shtetit duhet dhe do të pastrohet, me çdo kusht, nga individë të tillë.

Pak ditë më parë, qeveria miratoi Planin e Veprimit “Operacioni Forca e Ligjit”, i cili materializon një qasje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare në luftën ndaj krimit të organizuar. Një koncept tërësisht i ri sa i takon hetimit të krimit përmes ngritjes së një Task Force Speciale, e cila përfaqëson të gjitha institucionet ligjzbatuese të vendit. Ky është një tregues kuptimplotë i marrjes dhe i ushtrimit të përgjegjësisë politike, por edhe ligjore të kësaj qeverie, dhe i Ministrisë së Brendshme në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar.

Ne jemi duke ndryshuar thuajse tërësisht qasjen reaguese dhe vepruese ndaj çdo forme të veprimtarisë kriminale. Goditja vetëm dy ditë më parë e një grupi kriminal në Fier, (një prej 4 grupeve kriminale të skeduara në këtë rajon), është vetëm fillimi i këtij procesi që do të vazhdojë edhe me më intensitet e vendosmëri në muajt që vijnë.

Jemi thuajse në përfundim të grumbullimit të të dhënave mbi grupet kriminale vepruese në vend. Jemi duke ndërtuar një data-bazë shumë të plotë që kurrë më parë nuk ka ekzistuar kaq unike e përfshirëse, me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjen që kanë siguruar në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre kriminale etj.

Ky operacion ka gjetur një mbështetje të fuqishme nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Me kërkesën time zyrtare si Ministër, janë instaluar tashmë në Ministrinë e Brendshme ekspertë të FBI-së, ekspertë gjermanë e britanikë, si edhe të misionit PAMECA dhe Interforza, të cilët do të asistojnë Policinë e Shtetit në realizimin e këtij plani.

Po ashtu, me kërkesën e qeverisë shqiptare, do të vijnë së shpejti në Tiranë edhe disa ekspertë të tjerë me një përvojë të shkëlqyer, të certifikuar ndërkombëtarisht në çështjet e pastrimit të parave. Së bashku me ta do të punojmë fort për çështje të pastrimit të parave nga ana e grupeve kriminale të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda e jashtë vendit dhe investojnë në biznese gjoja të ligjshme brenda dhe jashtë vendit.

Retorika politike në funksion të luftës për interesa të politikës së ditës për krimin, paratë e pista, lidhjen e tyre me ekonominë dhe politikën thjesht iu jep imunitet grupeve kriminale dhe zyrtarëve të lidhur me to për të vepruar qetësisht në rrugën e tyre. Jemi të vetëdijshëm se nuk mundet të ketë rend dhe siguri të vërtetë për qytetarin edhe kur krimi, veçanërisht ai i organizuar, nuk ka dukje publike por me potencialin e tij ekonomik është prezent në investime të ndryshme, ka akses në media, ka influencë me raporte qoftë edhe të mirëfillta shoqërore me përfaqësues të angazhuar në politikë apo me funksionarë të ndryshëm publikë.

Ndaj me partnerët tanë ndërkombëtarë të FBI dhe DEA, apo me ata gjermanë, italianë, britanikë etj, po punojmë për evidentimin dhe goditjen e marrëdhënieve dhe raporteve të tilla. Shkëmbimi i eksperiencave dhe informacioneve me ta është një tjetër ndihmë e madhe për ne në këtë proces.

Me sinqeritetin më të madh e ftoj opozitën të bëhet mbështetëse pa rezerva e këtij angazhimi serioz tonin në luftën kundër krimit të organizuar. Është komplet pa kuptim nëse lidershipi i opozitës vijon me sulme të ulëta personale. Sepse impakti i këtyre sulmeve është ZERO. Gjithashtu është komplet pa dobi politike apo elektorale edhe për vetë opozitën kjo lloj qasje që ajo ka në debatin për luftën kundër krimit të organizuar.

Nëse lidershipi i opozitës do të vijojë të merret me sulme personale, personalisht nuk kam ndërmend të humbas kohë për përfshirje në këtë lloj debati. Nuk e kam bërë dje në asnjë rast. Dhe nuk kam ndërmend ta bëj sot. Jam ulur në atë karrige jo për interesa dhe ambicie personale, po për t’iu shërbyer qytetarëve për një gjë të madhe: për më shumë qetësi, rend dhe siguri, për t’u siguruar se reforma e re e drejtësisë do të zbatohet për të dhënë drejtësi, për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit. Nëse debatohet se si duhet ta bëjmë më efiçente luftën kundër krimit të organizuar, kam gjithë gatishmërinë dhe gjej të gjithë kohën për t’u ballafaquar në këtë debat.

Për këtë qeveri çështjet e rendit dhe sigurisë publike në përgjithësi dhe lufta kundër krimit të organizuar në veçanti do të jenë parësore dhe kusht i rëndësishëm në rrugën tonë drejt BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar është një sfidë e madhe për të gjithë ne. Por nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta fitojmë atë.

Dhe do ta fitojmë!

Vetëm kështu do ta çojmë vendin drejt destinacionit tonë aq shumë të dëshiruar, Bashkimin Evropian.

Ju faleminderit.